Ngricat mbyllin aeroportet nëpër Evropë

17:48 | 13 Janar 2026
E.G

Një valë e motit të ftohtë ka përfshirë disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke shkaktuar probleme serioze në transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor. Akulli dhe ngricat kanë detyruar autoritetet të mbyllin përkohësisht aeroporte dhe të kufizojnë qarkullimin në disa qytete të mëdha.

Mot i ftohtë po mbretëron në disa vende evropiane. Aeroporti Ndërkombëtar i Vjenës u mbyll përkohësisht në orët e mëngjesit për shkak të pranisë së akullit në pistë. Si pasojë, rreth 140 fluturime u prekën, ndërsa disa prej tyre u ridrejtuan drejt aeroporteve të Mynihut dhe Frankfurtit.

Akulli dhe ngricat kanë shkaktuar telashe edhe në Republikën Çeke. Për shkak të shiut të akullt, aeroporti “Václav Havel” në Pragë ka operuar me kapacitete minimale, duke shkaktuar vonesa të shumta të fluturimeve.

Formimi i shtresës së akullit mbi linjat elektrike të hekurudhave ka çuar edhe në ndërprerje të qarkullimit të trenave në kryeqytet. Po ashtu, qarkullimi i autobusëve ndërurban është vështirësuar në rajonin e Bohemias Qendrore dhe në disa zona të tjera të vendit.

Edhe aeroporti i Bratislavës në Sllovaki u mbyll mëngjesin e sotëm për shkak të ngricave. Një fluturim nga Bazeli u anulua, ndërsa një tjetër nga Londra u ridrejtua drejt një aeroporti tjetër. Sipas drejtuesve të aeroportit, operimet pritet të normalizohen plotësisht rreth mesditës. Ndërkohë, telashe më të mëdha janë shënuar në kryeqytetin Bratislavë, ku trafiku është bllokuar pothuajse tërësisht, si në autostradë ashtu edhe në rrugët dytësore.

Shpërndaje në rrjete sociale