Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi të dielën kundër kritikave në rritje nga aleati kryesor, Shtetet e Bashkuara, ndaj rolit të tij drejtues, ndërsa vazhdon lufta shkatërrimtare me Hamasin. Zoti Netanyahu i cilësoi thirrjet për zgjedhje të reja si “krejtësisht të papërshtatshme”.
Gjatë ditëve të fundit, drejtuesi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, zyrtari më i lartë amerikan me origjinë hebreje dhe një mbështetës i fortë i Izraelit, i bëri thirrje Izraelit të mbajë zgjedhje të reja, duke thënë se zoti Netanyahu e “ka humbur drejtimin”.
Presidenti Joe Biden shprehu mbështetjen për “fjalimin e mirë”, siq e quajti ai, të zotit Schumer dhe e akuzoi më herët zotin Netanyahu se e ka dëmtuar Izraelin me nivelin jashtëzakonisht të lartë të viktimave në radhët e civilëve në Gazë.
Zoti Netanyahu i tha kanalit televiziv Fox News se Izraeli nuk do të kishte bërë kurrë thirrje për zgjedhje të reja në Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit dhe i kritikoi si të papërshtatshme komentet e zotit Schumer.
“Ne nuk jemi një republikë bananesh”, tha ai. “Populli i Izraelit do të vendosë se kur do të mbahen zgjedhjet dhe se kë do të zgjedhin dhe kjo nuk është diçka që mund të na imponohet”.
I pyetur nga kanali televiziv CNN nëse do të angazhohej për zgjedhje të reja pasi të ketë përfunduar lufta, zoti Netanyahu tha se “ kjo është diçka që do të vendoset nga populli izraelit”.
Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz u takua me kryeministrin izraelit të dielën në Jeruzalem.
Kjo është hera e dytë që kancelari Scholz viziton Lindjen e Mesme që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor në Izrael.
Kancelari Scholz do të takohet edhe me presidentin e Izraelit Isaac Herzog.
Gjermania është një vend aleat i vendosur i Izraelit dhe ka shprehur vazhdimisht solidaritetin me Izraelin që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas./voa
Linjë ajrore Shqipëri – Kanada, Qeveria shqiptare firmos ven...
Fonsesca: Ligue 1 është një nga ligat më të mira në Evropë
BE merr vendimin, do të ngrijë për një kohë të pacaktuar ase...
Këto janë dy viktimat nga aksidenti tragjik në “Ibrahim Rugo...
Mjegulla mbi rrugët e Kosovës, policia del me një apel për v...
Rusia kundërshton planin e Evropës për t’i dhënë hua Ukrainë...