Në ditët e fundit, moti i lig ka përfshirë pjesë të ndryshme të Evropës Juglindore, duke shkaktuar stuhi, breshër dhe erëra të fuqishme që kanë sjellë dëme të konsiderueshme në shumë vende. Nga Sllovakia në Kroaci, e më pas në Hungari dhe Serbi, ky fenomen i jashtëzakonshëm ka shkaktuar ndërprerje energjie, rrëzim kulmesh dhe pemësh, si dhe bllokim rrugësh dhe hekurudhash.
Paralajmërimet vazhdojnë për përkeqësim të motit në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën.
Autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët për kujdes të shtuar dhe gatishmëri ndaj kushteve të pafavorshme atmosferike, pasi që pritet që moti i lig të godasë Kosovën gjatë së martës dhe të mërkurës.
Ndërkohë, pjesa lindore e Sllovakisë, si dhe disa vende të Ballkanit, janë prekur nga moti i lig. Stuhitë, vende-vende, sollën breshër, por dëmet më të mëdha u shkaktuan nga erërat e fuqishme që në disa zona tejkaluan shpejtësinë prej 100 km/h. Si pasojë, janë rrëzuar kulmet e objekteve, ndërsa shkulja dhe rrëzimi i pemëve bllokuan rrugët dhe hekurudhat.
Një stuhi e madhe me breshër, brenda disa minutave, paralizoi edhe qytetin e Splitit në Kroaci, ndërsa mot i ngjashëm preku edhe kryeqytetin Zagreb. Qyteti mbeti pa furnizim me energji elektrike, ndërsa dëme u shkaktuan në disa objekte. Erëra të fuqishme dhe dallgë të larta në det bënë që anijet të përplaseshin me njëra-tjetrën. Shpejtësia e erës raportohet të ketë arritur deri në 128 km/h. Si pasojë e këtij moti, u dëmtua rëndë stadiumi “Poljud” i klubit të futbollit Hajduk, ku u shkatërrua çatia e stadiumit, ndërsa fusha u përmbyt.
Të hënën pasdite, një stuhi e fuqishme goditi edhe Hungarinë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kulmet e objekteve u rrëzuan, pemët u shkulën nga rrënjët, duke krijuar pengës dhe bllokuar rrugë e hekurudha.
Moti i lig preku gjithashtu qytetet e Suboticës dhe Zrenjaninit në Vojvodinë, Serbi. Sipas raporteve fillestare, në Zrenjanin kanë rënë rreth 10 litra shi për metër katror, ndërsa stuhi e tërthortë zgjati rreth 20 minuta./rtk
Policia në Ferizaj shton kontrollet në trafik, shqiptohen 19...
Dy raste me mjete të dyshuara shpërthyese në Gjakovë, njëra ...
Punëtori lëndohet pasi bie nga një lartësi në Han të Elezit
Gjenden mbetje eshtërore në Rahovec, dyshohet për një person...
Një person dërgohet pa shenja jete në Emergjencën e Podujevë...
Meta dhe YouTube humbasin gjyqin me një 20-vjeçare