Moska: Perëndimi duhet të ndalojë armatosjen e Ukrainës, kjo po bëhet kritike

22:59 | 19 Janar 2022

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i ka bërë thirrje Perëndimit që të ndalojë armatosjen e Ukrainës dhe e quajti situatën rreth sigurisë europiane si “kritike”.

Më herët Kremlini ka deklaruar se tensionet mbi Ukrainën janë duke u rritur dhe paralajmëroi për dërgesat e armëve, manovrat ushtarake dhe fluturimet nga avionët e NATO-s, të cilave partnerët ndërkombëtarë të Rusisë duhet t’u kushtojnë vëmendje, transmeton portal arbresh.info

Ryabkov tha se nuk ekziston një kërcënim i një lufte në shkallë të gjërë në Europë dhe se Moska nuk e ka në plan pushtimin e Ukrainës. Megjithatë, kërcënimi që Ukraina të integrohet edhe më shumë në NATO është diçka që prek drejtpërdrejt interesat kombëtare dhe të sigurisë ruse, tha ai.

Disa vende perëndimore kanë njoftuar ndihmë ushtarake për Ukrainën ditët e fundit, dhe Uashingtoni njoftoi një shtesë prej 200 milionë dollarë të mërkurën.

Në anën tjetër, ministri britanik i Mbrojtjes ka njoftuar se do të furnizojë me armë të lehta Ukrainën, ndërsa Kanadaja do të dislokonte një kontigjent të vogël forcash special.

“Siç thamë, ne jemi të përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe do të vazhdojmë t’i ofrojmë ndihmën që i nevojitet”, tha një zyrtar anonim amerikan, pa treguar se çfarë ishte ndihma.

Në fund të vitit, edhe para akumulimit të trupave ruse në kufirin ukrainas, Shtetet e Bashkuara dërguan 450 milionë dollarë ndihmë ushtarake në Kiev.

Rusia kërkon garanci me shkrim nga NATO se nuk do të ketë më zgjerim të saj ën lindje, si dhe kërkon tërheqjen e forcave të saj nga vendet në kufi me Rusinë.

NATO i ka hedhur poshtë kërkesat, duke theksuar se aleanca ka një “politikë të dyerve të hapura” për çështjen e anëtarësimit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara