Mijëra dokumente të Epstein u larguan pas identifikimit të viktimave

18:06 | 3 Shkurt 2026
E.H

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së (DOJ) ka hequr nga faqja e internetit mijëra dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, pasi viktimat thanë se identitetet e tyre ishin komprometuar.

Avokatët e viktimave të Epstein thanë se mungesa e redaktimeve (anonimizimit) në dosjet e publikuara ua kishte “përmbysur jetën” pothuajse 100 të mbijetuarve.

Në publikim u përfshinë adresa emaili dhe foto nudo, në të cilat emrat dhe fytyrat e viktimave të mundshme mund të identifikoheshin.

Të mbijetuarit lëshuan një deklaratë duke e quajtur publikimin “të tmerrshëm”.

Departamenti i Drejtësisë deklaroi se i kishte hequr të gjitha dosjet e sinjalizuara dhe se gabimet kishin ndodhur për shkak të “gabimeve teknike ose njerëzore”.

Në një letër të paraqitur të hënën para një gjyqtari federal, Departamenti tha “të gjitha dokumentet që viktimat ose përfaqësuesit e tyre ligjorë kërkuan të hiqeshin deri mbrëmë janë hequr për redaktim të mëtejshëm”, duke shtuar se po vazhdon të shqyrtojë kërkesa të reja, si dhe po kontrollon nëse ka dokumente të tjera që mund të kenë nevojë për redaktim shtesë.

Një “numër i konsiderueshëm” dokumentesh të identifikuara në mënyrë të pavarur janë hequr gjithashtu.

Sipas kushteve të publikimit, i cili u urdhërua pasi të dy dhomat e Kongresit miratuan një masë që detyronte DOJ-në të publikonte dokumentet, qeveria federale ishte e detyruar të redaktonte detajet që mund të identifikonin viktimat.

Të premten, dy avokatë që përfaqësojnë viktimat i kërkuan një gjyqtari federal në New York të urdhëronte DOJ-në të hiqte faqen e internetit me dosjet, duke e quajtur publikimin “shkeljen më të rëndë dhe më flagrante të privatësisë së viktimave brenda një dite në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Shpërndaje në rrjete sociale