Merz: Për planin për Ukrainën duhet mbështetja e europianëve

23:57 | 23 Nëntor 2025
E.G

Kancelari gjerman Friedrich Merz lidhur me planin 28 pikësh të Trumpit për fundin e luftës në Ukrainë: deri të enjten „nuk mund të arrihet”, në vend të kësaj mund të mendohet një „rezultat i ndërmjetëm”.

Kancelari bashkë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Keir Starmer kanë parashtruar disa propozime për paqen në Ukrainë. Në kuadër të samitit të G20 në Johanesburg në Afrikën e Jugut, kancelari gjerman në intervistë për DW vuri në dukje, se ka biseduar përpara udhëtimit në telefon me presidentin e SHBA-së Donald Trump lidhur me planin e tij 28 pikësh për fundin e luftës në Ukrainë.

Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz tha në intervistën për DW: „Unë mendoj, se nuk mund të arrihet që për të 28 pikat e planit të bihet dakord deri në enjten.” Ndaj ne duam rë identifikojmë, se cilat pikat të planit mund të realizohen në dakordësim: Nga amerikanët, europianët dhe Ukraina nga njëra anë dhe nga Rusia në anën tjetër.

Merz: „Ne duhet të avancojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme. Ndaj tani po përpiqemi, që deri të enjten të realizojmë një hap të ndërmjetëm. Unë e di, që presidenti Trump është vërtetë i interesuar, që deri të enjten të paktën të ketë një rezultat të ndërmjetëm. Pikërisht këtë po përpiqemi të arrijmë tani të gjithë.”

Merz: Disa pika të planit nuk mund t’i miratojmë

Ai shtoi: „Unë pata një telefonatë me presidentin Trump, përpara se të largohesha nga vendi. Unë i thashë atij, që ne mund t’i miratojmë disa pika, por jo pikat e tjera. Dhe i thashë gjithashtu, se ne qendrojmë në anën e Ukrainës, dhe se sovraniteti i këtij vendi është një çështje e padiskutueshme. Ne ndodhemi në mes të negociatave shumë serioze, të cilat zhvillohen në Gjenevë. Këshilltarët tanë të sigurisë kombëtare ndodhen atje dhe po bisedojnë me delegacionin amerikan, me delegacionin nga Ukraina dhe nuk e dimë, se si mund të jenë rezultatet e këtyre bisedimeve. Në fund të fundit sovraniteti i Ukrainës nuk shtrohet për diskutim.”

Lufta në Ukrainë kërcënim serioz për të gjithë

Merz: „Ne ndërkohë po vuajmë që prej gati katër vjetësh prej kësaj lufte të tmerrshme në Ukrainë. Kjo luftë është një kërcënim për ne të gjithë. Ne shohim kërcënim serioz për infrastrukturën tonë. Ne shohim kërcënim serioz për sigurinë tonë kibernetike. Pra: Ky është një rrezik shumë serioz për të gjithë rendin politik të kontinentit tonë. Ndaj ne angazhohemi këtu kaq fuqishëm.”

Kina mund të ndikojë duke rritur presionin ndaj Rusisë

Merz tha gjithashtu, se Kina mund të ushtrojë presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës: „Kina mund të luajë një rol. Kina mund të rrisë presionin e saj ndaj Rusisë, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. E nëse kjo është e nevojshme, kjo do të jetë temë e bisedimeve edhe vitin e ardhshëm. Edhe pse unë shpresoj, se më përpara do të arrihet në një armëpushim. ”

Roli i Europës: E nevojshme mbështetja europiane

Sa i përket influencës së Europës, kancelari në intervistë për DW thotë: „Ka kaq shumë elementë në këtë plan, që kërkojnë miratimin e palës europiane. Dhe po ju jap një shembull: Vlerat e pasurive ruse, që janë depozituar në Bruksel, nuk mund t’u paguhen amerikanëve. Kjo as që mund të mendohet. Nëse ky plan do të bëhet realitet, definitivisht do të duhet mbështetja e europianëve.”

Afrika mund të luajë rol më të madh në të ardhmen

Lidhur me rolin e kontinentit afrikan Merz nënvizon: „Askush nga ne nuk largohet nga Afrika pa bindjen e thellë, që ky kontinent në të ardhmen do të luajë një rol thelbësor. Ky është kontinenti me rritjen më të fuqishme dhe me një popullsi të re, mjaft interesant për sipërmarrjet, …dhe ato do të luajnë një rol shumë më të madh se më përpara.”/dw

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme