Shtohet prania e policisë para Gjykatës Themelore, pas pak shpallet aktgjykimi për rastin “Banjska”

14:18 | 24 Prill 2026
Q L

Pak kohë para fillimit të seancës ku pritet të shpallet aktgjykimi për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, është rritur dukshëm prania e forcave të sigurisë përreth objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në vendin e ngjarjes janë parë pjesëtarë të shumtë të Policisë së Kosovës, ndërsa Njësia Speciale tashmë ka zënë pozicionet e saj rreth gjykatës, në pritje të seancës që është caktuar të nisë në orën 15:00.

Sot pritet të jepet aktgjykimi ndaj tre serbëve të akuzuar: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët po gjykohen lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Prokuroria Speciale ka kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit, të cilët gjatë procesit gjyqësor kanë mohuar fajësinë.

Sipas aktakuzës, sulmi kishte për qëllim cenimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe shkëputjen e pjesës veriore të vendit, ndërsa gjatë përleshjes mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.