Ligjvënësit e BE-së bëjnë thirrje për investime ushtarake pas kaosit në Kabul

18:01 | 16 Shtator 2021
Arditë Shkodra

Parlamenti Evropian bëri thirrje të enjten që blloku prej 27 vendesh të forcojë bashkëpunimin dhe investimet e tij në mbrojtje për t’u bërë më të pavarur nga Shtetet e Bashkuara pas tërheqjes nga Afganistani.

“BE -ja duhet të investojë në ndërgjegjësimin ushtarak, vëzhgimin dhe zbulimin, inteligjencën dhe transportin strategjik të ajrit,” sipas një rezolute të miratuar në Strasburg, transmeton arbresh.info

Parlamenti votoi me 536 vota pro, 96 kundër dhe me 50 abstenime.

Rezoluta jo detyruese vuri në dukje pamundësinë e forcave evropiane për të siguruar një aeroport të tillë si Kabuli për evakuime pa mbështetjen e SHBA.

Parlamenti kritikoi gjithashtu planifikimin e Shteteve të Bashkuara për një tërheqje nga Afganistani që ligjvënësit e BE-së thanë se ishte e njëanshme dhe pa koordinim të mjaftueshëm me aleatët e NATO-s, shumë prej të cilëve janë anëtarë të BE -së.

Rezoluta e etiketoi tërheqjen kaotike si një dështim kolektiv të politikës së jashtme dhe të sigurisë perëndimore që, në një afat të shkurtër, dëmton besueshmërinë e Perëndimit.

Varësia nga Washingtoni për evakuimet nga Afganistani ka shkaktuar diskutime të reja në Bashkimin Evropian rreth krijimit të një force reagimi të shpejtë.

Përpjekjet e BE së për të krijuar një forcë të tillë janë paralizuar për më shumë se një dekadë pavarësisht krijimit në vitin 2007 të një sistemi të “grupeve të betejës” prej 1.500 trupash që nuk janë përdorur kurrë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi financimin dhe ngurrimit për t’i vendosur ato./reuters/arbresh.info/