Ukraina po përballet me një situatë të tensionuar në disa fronte pas intensifikimit të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike, zhvillimeve të reja diplomatike dhe vendimeve politike të rëndësishme që lidhen me luftën dhe mbështetjen ndërkombëtare. Autoritetet në Kiev kanë paralajmëruar kufizime të energjisë në mbarë vendin, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky ka folur për ndikimin e Mbretit Charles III në qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Ukrainës.
Kompania ukrainase Ukrenergo njoftoi se, për shkak të situatës së rënduar në sistemin energjetik pas sulmeve të fundit ruse, do të vendosen masa për kufizimin e konsumit të energjisë elektrike në shumicën e rajoneve të vendit.
Sipas kompanisë, ndërprerjet e energjisë mund të zgjasin gjatë gjithë ditës dhe do të prekin si konsumatorët shtëpiakë, ashtu edhe industrinë. Kjo vjen pas njërit prej sulmeve më të rënda ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga fillimi i luftës.
Në anën tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë shkatërruan ose interceptuan 71 dronë ukrainas gjatë natës, raportoi agjencia RIA Novosti.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se përfundimi i konfliktit nuk është i mundur pa respektuar interesat e Rusisë dhe se është i gatshëm për bisedime të drejtpërdrejta me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Mbreti Charles III i Britanisë së Madhe ka luajtur një rol të rëndësishëm prapa skenave në inkurajimin e presidentit amerikan Donald Trump që të mbështesë më fuqishëm Ukrainën.
Në një intervistë për The Guardian, Zelensky tha se pas një debati të tensionuar me Trump në Zyrën Ovale në shkurt, situata ndryshoi ndjeshëm falë ndërhyrjes së mbretit gjatë vizitës shtetërore të Trump në Mbretërinë e Bashkuar në shtator.
Sipas tij, Mbreti Charles i dërgoi sinjale të rëndësishme Trumpit, duke theksuar se ky i fundit ka respekt të madh për monarkun britanik. Zelensky e përshkroi mbretin si “shumë të ndjeshëm ndaj ukrainasve” dhe falënderoi për mbështetjen e tij të qëndrueshme.
Presidenti Zelensky njoftoi gjithashtu vendosjen e sanksioneve të reja kundër zyrtarëve të lartë rusë, shtëpive botuese ruse dhe ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Ukrainës, Oleksandr Tupitsky. Ai bëri të ditur se, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, po përgatitet pakoja e njëzetë e sanksioneve kundër Rusisë, e cila do të përfshijë kompani dhe individë që ende përfitojnë nga tregtia e burimeve energjetike.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka emëruar avokatin John Cole si të dërguarin e posaçëm të SHBA-së në Bjellorusi. Cole aktualisht shërben si zëvendës i dërguari special për Ukrainën dhe pritet të marrë detyrën e re në javët në vijim.
Gruaja e lënduar dërgohet dy herë në spitalin e Mitrovicës d...
Dita e ndeshjes: Prishtina 01 synon çerekfinalen në Ligën e ...
SHBA godet një tjetër anije që transportonte drogë, vriten 4...
Një i vdekur, 24 të lënduar dhe 2,147 tiketa të shqiptuara n...
Një i lënduar nga vetaksidenti në aksin rrugor Gjilan-Kameni...
Arrestohet në Prizren i dyshuari për falsifikim dokumentesh ...