Google ADS

Koreja e Jugut, vendi i parë aziatik që i bashkohet grupit kibernetik të NATO-s

21:22 | 5 Maj 2022
Lorik Gerbeshi

Sipas Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut (NIS), vendi i Azisë Lindore është bërë vendi i parë aziatik që iu bashkua grupit të mbrojtjes kibernetike të NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raportoi “Yonhap News”, NIS u pranua zyrtarisht në Qendrën e Ekselencës së Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s (CCDCOE) me bazë në Talin të Estonisë.

Me pranimin e Koresë së Jugut, numri i anëtarëve të grupit është rritur në 32, përfshirë 27 anëtarët e NATO-s.

“Yonhap News” tha se NIS do të “përfaqësojë Korenë e Jugut në aktivitetet e trajnimit dhe kërkimit të qendrës”.

“Ne planifikojmë të forcojmë aftësitë tona të reagimit kibernetik në nivel botëror, duke rritur numrin e stafit tonë të dërguar në qendër dhe duke zgjeruar fushën e trajnimit të përbashkët”, tha NIS.

NATO formoi CCDCOE-në në vitin 2008 në përgjigje të një sulmi kibernetik të supozuar rus që dëmtoi rrjetet shtetërore të Estonisë.

Shpërndaje në rrjete sociale