Kina ka njoftuar vendosjen e një tarife të re prej 125% për importet nga Shtetet e Bashkuara, në një lëvizje të re në përshkallëzimin e luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Tarifa e re, e cila shënon një rritje të ndjeshme nga 84% që ishte shpallur të mërkurën, vjen si kundërpërgjigje direkte ndaj masave të fundit proteksioniste të administratës amerikane. Me këtë vendim, Kina ka barazuar nivelin e tarifës me atë të vendosur aktualisht nga SHBA për mallrat kineze.
Ekspertët paralajmërojnë se përshkallëzimi i mëtejshëm i tarifave rrezikon të rëndojë edhe më shumë mbi ekonominë globale, në një moment të ndjeshëm për tregjet dhe zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar.
Në kulmin e luftës tregtare, autoritetet kineze po intensifikojnë kontaktet me partnerët e tjerë tregtarë për të koordinuar reagimin ndaj qasjes së re të Uashingtonit, duke përfshirë takime me përfaqësues të Spanjës, Arabisë Saudite dhe Afrikës së Jugut.
Megjithë përshkallëzimin e tensioneve, Trump shprehu besimin se një marrëveshje me Kinën është ende e mundur. “Jam i sigurt që do të mund të shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin,” tha presidenti amerikan duke iu referuar homologut të tij kinez, Xi Jinping. “Në kuptimin e vërtetë, ai ka qenë mik i imi prej kohësh dhe besoj se do të arrijmë diçka që është shumë e mirë për të dy vendet.”- tha presidenti i SHBA.
Por Pekini reagoi ashpër ndaj veprimeve të fundit të SHBA. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i ministrisë kineze të Tregtisë, He Yongqian, deklaroi se Kina nuk do të pranojë “kërcënime dhe shantazh” dhe do të qëndrojë e vendosur nëse Uashingtoni vijon me këtë qasje konfrontuese. “Ne jemi të hapur për dialog, por ai duhet të bazohet në respekt të ndërsjellë,” tha ai./euronews
FIFA nderon Trumpin me Çmimin e Paqes: Lidershipi i tij gara...
Publikohet marrëveshja në letër e Vetëvendosjes me tri parti...
Obiliq: Arrestohet një person për vjedhje të rëndë në pompë ...
KFOR-i forcon aktivitetet në mbështetje të sigurisë në të gj...
Gjobë 500 euro, pikë negative e ndalim i drejtimit të automj...
Dron në shtëpinë e BBVK për Benitën