Kina dhe Rusia vlerësohen si kërcënimet kryesore për Shtetet e Bashkuara

01:27 | 16 Prill 2021

Shefat e inteligjencës amerikane paralajmëruan ligjvënësit të mërkurën se pandemia e koronavirusit do të shkaktojë trazira të konsiderueshme ndërkombëtare për disa vite. Në informimin e tyre të parë publik për kërcënimet pas më shumë se dy vitesh, dështimi i Kinës për të ndalur përhapjen e COVID-19, së bashku me rritjen e konkurrencës me Shtetet e Bashkaura, u cilësua si kërcënimi kryesor.

Zyrtarë të inteligjencës amerikane paralajmëruan ligjvënësit se kriza e ekonomisë botërore dhe shëndetit publik e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, do të rrisë trazirat në botë.

“Ne përballemi me një larmi të gjerë kërcënimesh në zhvillim, kryqëzimi i të cilave po rrit mundësinë e krizave me pasoja të mëdha. Bota jonë gjithnjë e më e ndërlidhur dhe në lëvizje ofron mundësi të mëdha, por të njëjtën kohë shumëfishon sfidat tona”, tha Avril Haines, drejtore e Inteligjencës Kombëtare.

Sipas vlerësimeve të publikuara këtë javë nga 18 agjenci inteligjence, Shtetet e Bashkuara përballen me kërcënime nga Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani.

“Vlerësimi i kërcënimit përfshin detaje të gjera mbi një sërë sfidash me të cilat përballemi, por unë kam disa çështje që do të doja të trajtoja – siguria kibernetike, siguria e zgjedhjeve, rritja e dhunës nga ekstremizmi i brendshëm dhe padyshim ngritja e Kinës, veçanërisht Partisë Komuniste Kineze”, tha Mark Warner, senator demokrat.

Diplomacia kineze e vaksinave është shembulli i fundit i konkurrencës së drejtpërdrejtë me ShBA, kur është në pyetje ndikimi botëror.

“Kina është një konkurrente që në vazhdimësi sfidon Shtetet e Bashkuara në shumë fusha. Ajo kërkon rishikimin e normave botërore që favorizojnë sistemin autoritar kinez”, tha zonja Haines, drejtore e Inteligjencës Kombëtare.

Pas sulmit masiv kibernetik ndaj kompanisë inxhinierike Solar Winds, për çka fajësohen rusët, ligjvënësit amerikanë thanë se siguria kibernetike duhet të merret më seriozisht.

“Sulmi ndaj Solarwinds tregon se sa i lehtë është rrezikimi i infrastrukturës amerikane. Nuk është e vështirë të paramendohet dëmi që mund të bëhet nëse kundërshtarët tanë vendosin të kryejnë një sulm të tillë përtej spiunazhit, në gjëra si rrjeti i energjisë ose furnizimit me ujë”, tha Marco Rubio, senator republikan.

Siguria e zgjedhjeve është gjithashtu një pikë e madhe tensioni me Rusinë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në ShBA.

“Rusia ndërmori një fushatë të sofistikuar dezinformuese në vitin 2020 kundër presidentit tonë aktual dhe për të forcuar kandidaturën e ish-presidentit. Ne duhet ta bëjmë të qartë se ata që kryen këtë ndërhyrje armiqësore do të paguajnë një çmim”, tha Mark Warner, senator demokrat.

Seanca informuese e kësaj jave, për ligjvënësit shënon herën e parë në dy vjet që agjencitë e inteligjencës amerikane përshkruajnë publikisht kërcënimet në mbarë botën. Praktika ishte pezulluar gjatë vitit të fundit të administratës Trump./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara