Ukrainës do t’i duhen të paktën 120 miliardë dollarë për mbrojtjen e saj në vitin 2026, ndërsa lufta me Rusinë po hyn në vitin e katërt, tha të shtunën ministri i Mbrojtjes, Denys Shmyhal.
Shmyhal theksoi se financimi ishte thelbësor për të mirëmbajtur linjat mbrojtëse, për të prodhuar më shumë dronë dhe armë të tjera, për të mbrojtur qiellin dhe për të penguar çdo agresion të mëtejshëm rus.
“Ekonomia e luftës tregon se nëse shpenzojmë më pak para se Rusia, atëherë fillojmë të paguajmë me territoret tona dhe, më e rëndësishmja, me jetën tonë”, ka thënë Shmyhal në një konferencë vjetore në Kiev, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Shpenzimet e mbrojtjes së Ukrainës u rritën ndjeshëm pas pushtimit të Rusisë në shkurt 2022 dhe tani ajo shpenzon më shumë se 31% të produktit të saj të brendshëm bruto për ushtrinë e saj.
Roksolana Pidlasa, kreu i komisionit parlamentar të buxhetit, tha se kostot e luftës vazhduan të rriteshin.
Ajo theksoi se në vitin 2025, një ditë lufte kushtoi 172 milionë dollarë krahasuar me rreth 140 milionë dollarë në vitin 2024.
Kjo përfshinte pagat e ushtarëve, armët dhe pagesat për ata që u plagosën ose u vranë në fushën e betejës, bëri të ditur ajo.
“Pra, ne duhet të mbledhim fonde për të gjitha burimet e nevojshme, të gjitha paratë e nevojshme”.
Ndërsa nuk janë specifikuar detaje mbi burimet shtesë të financimit, zyrtarët e qeverisë ukrainase u kanë bërë thirrje aleatëve të gjejnë mënyra për të përdorur asetet e ngrira ruse për të ndihmuar financat e Kievit.
Lufta me Rusinë është “nxehur” në muajt e fundit, me luftime të ashpra që zhvillohen përgjatë më shumë se 1,000 km të vijës së frontit dhe trupat ruse që rrisin sulmet e tyre ajrore në qytete dhe qyteza ukrainase shumë larg saj.
Ndërkohë, edhe përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës nuk kanë sjellë ende rezultate të prekshme.
Madje, ditëve të fundit, tensionet arritën një nivel të ri ndërsa avionët luftarakë të NATO-s u ngritën për të rrëzuar disa dronë rusë që shkelën hapësirën ajrore polake të mërkurën.
“Derisa të arrihet ndonjë zgjidhje diplomatike, do të na duhet të vazhdojmë të luftojmë. Dhe për të vazhduar luftën, na duhen para. Dhe mbrojtja ka një kosto të madhe financiare”, tha Pidlasa.
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...
Më pak se 1% import të energjisë nga Serbia