Johnson frikësohet se Ukraina do të detyrohet të bëjë paqe të keqe me Rusinë

15:04 | 25 Qershor 2022

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka shprehur shqetësimin e tij se Ukrainës mund t’i bëhet presion për një marrëveshje paqeje me Rusinë që nuk është në interesin e saj.

Pasojat ekonomike të luftës në pjesën tjetër të Evropës kanë ngritur shqetësimin se mbështetja për Ukrainën mund të ftohet mes krizës së kostos së jetesës.

“Shumë vende po thonë se kjo është një luftë evropiane që është e panevojshme… dhe kështu presioni do të rritet për të inkurajuar – shtrënguar, ndoshta – ukrainasit për një paqe të keqe”, pohoi ai për skynews.

Ai shtoi se pasojat e lejimit të presidentit rus, Vladimir Putin që të ketë rrugën e lirë me Ukrainën do të ishin të mëdha për sigurinë ndërkombëtare dhe një “katastrofë ekonomike afatgjatë”.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Ukrainës gjatë konfliktit dhe Johnson është një figurë e njohur atje – pavarësisht marrëdhënieve të vështira me publikun në vend.

Ndryshe, Johnson deri më tani ka qenë dy herë personalisht për vizitë në Kiev, ku është takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale