Libani tha se nga sulmet me dronë të kryera nga Izraeli më 10 qershor, janë vrarë një burrë dhe djali i tij në një fshat në jug të vendit.
Ky është sulmi i fundit vdekjeprurës, pavarësisht një armëpushimi të arritur në nëntor. Izraeli tha se të vrarët ishin militantë.
Ministria Libaneze e Shëndetësisë tha përmes një deklarate se “dronët e Izraelit armik kryen një sulm në fshatin Sheba, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur një tjetër”.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban, të vrarët ishin babai dhe djali i tij, ndërkaq djali tjetër i viktimës mbeti i plagosur.
Ushtria izraelite tha se ka vrarë një anëtar të Hezbollahut dhe një operativ të Brigadës Libaneze të Rezistencës, që është një grup i lidhur me grupet militante të mbështetura nga Irani.
Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.
Në njoftimin e ushtrisë izraelite thuhet se dy burrat “posedonin armë të përdorura nga Hezbollahu për qëllime terroriste dhe për vëzhgimin e ushtarëve izraelitë në rajonin afër kufirit”.
Izraeli ka bombarduar në mënyrë të vazhdueshme Libanin, pavarësisht armëpushimit të nëntorit, që i dha fund më shumë se një viti armiqësish me Hezbollahun, përfshirë edhe dy muaj lufte në shkallë të plotë.
Sami Lushtaku pas akuzave të Kurtit se deshi t’ia godas esko...
Kurti: Kryetari i Skenderajt tentoi ta godiste veturën time ...
KFOR-i pret ambasadorin norvegjez, diskutojnë për sigurinë n...
Kurti për Rrahman Jasharajn: Është qe 20 vjet aty, e ka shke...
Presidenti Trump “pezullon” planin: Nuk do ta sulmojmë Irani...
Po transferohej nga komisariati i Fierit në Kuçovë, 45-vjeça...