Google ADS

Izraeli grumbullon trupa këmbësorie në kufi me Gazën

12:16 | 11 Tetor 2023
E.K

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë dërguar trupa këmbësorie, artileri dhe mbi 300.000 rezervistë në afërsi të kufirit me Gazën, pesë ditë pas sulmit befasues të militantëve të Hamasit në jug të Izraelit.

Forcat Izraelite njoftuan të mërkurën se e kanë rindërtuar barrierën përreth Gazës, të cilën e thyen militantët e Hamasit për ta kryer sulmin më vdekjeprurës palestinez në historinë e Izraelit.

Ushtria izraelite tha të mërkurën se numri i përgjithshëm i të vrarëve në Izrael ka arritur në 1.200 dhe se më shumë se 2.700 njerëz janë plagosur.

“Ata janë afër Rripit të Gazës duke u përgatitur ta ekzekutojnë misionin që u është dhënë nga Qeveria e Izraelit – dhe ky mision është për t’u siguruar se Hamasi në fund të kësaj lufte nuk do të ketë më ushtri me të cilën mund t’i kërcënojë apo vrasë civilët izraelit”, tha IDF-ja të mërkurën.

Luftimet dhe skenat nga Gaza në ditët në vijim “do të jenë të papërballueshme dhe të vështira për t’u kuptuar”, sipas IDF-së.

Izraeli i vazhdoi bombardimet e pareshtura në Gaza gjatë natës mes 10 dhe 11 tetorit, duke i vrarë së paku 30 persona.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve në enklavën e mbipopulluar bregdetare është rritur në 950, ndërsa janë plagosur 5.000 njerëz, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës.

Të hënën, militantët e Hamasit kërcënuan se do t’i vrasin pengjet izraelite, civilë dhe ushtarë, nëse Izraeli vazhdon ta bombardojë Gazën pa paralajmërim, por nuk ka ndonjë indikacion që e kanë bërë një gjë të tillë derisa ushtria izraelite nuk po i ndal sulmet ajrore.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha duke u folur ushtarëve afër kufirit me Gazën se “Hamasi e donte një ndryshim dhe do ta ketë atë. Nuk do të mbetet asgjë nga ajo që sot është në Gaza”.

“Ne e kemi nisur ofensivën nga ajri, më vonë, do të vijmë përmes tokës. Ne jemi duke e kontrolluar këtë zonë që nga Dita 2 dhe jemi në ofensivë. Vetëm sa do të intensifikohet”, tha ai.

Së paku 1.000 militantë të armatosur, të cilët ishin futur në Izrael nga Gaza, u vranë, raportoi gazeta izraelite Hayom.

Izraeli i tërhoqi trupat nga Gaza në vitin 2005, 38 vjet pas okupimit dhe i ka vënë bllokadë kësaj enklave qëkur Hamasi e mori në dorë pushtetin në vitin 2007./rel

Shpërndaje në rrjete sociale