Një gjykatë në Korenë e Jugut e ka dënuar ish-presidentin, Yoon Suk Yeol, me burgim të përjetshëm, pasi e gjeti fajtor për udhëheqjen e një kryengritjeje pasi ai shpalli gjendje lufte më 2024.
Yoon papritur shpalli gjendje lufte gjatë një adresimi televiziv dhjetorin e vitit 2024, duke thënë se masat drastike ishin të nevojshme për të çrrënjosur “forcat antishtetërore” në Asamblenë Kombëtare të Koresë së Jugut.
Konservatori i linjës së ashpër, Yoon, 65 vjeç, më vonë u ndoq penalisht, u arrestua dhe u akuzua për krime të ndryshme, përfshirë për kryengritje dhe pengim të drejtësisë.
Gjykatësi kryesor, Ji Gwi-yeon, tha se Yoon dërgoi trupa në ndërtesën e Asamblesë në përpjekje për të heshtur kundërshtarët politikë të cilët kishin penguar përpjekjet e tij për të qeverisur.
“Gjykata gjen se qëllimi ishte që të paralizohej Asambleja për një periudhë të konsiderueshme”, tha Ji në Gjykatën e Qarkut Qendror të Seulit.
“Shpallja e gjendjes së luftës rezultoi me pasoja të mëdha sociale, dhe është e vështirë që të gjendet ndonjë tregues se i pandehuri ka shprehur keqardhje për këtë gjë”, tha gjykatësi.
“Ne e dënojmë Yoonin me burgim të përjetshëm”.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Kim Yong-hyun, u dënua me 30 vjet burgim për rolin e tij në këtë krizë.
Prokurorët kërkuan dënimin më të ashpër për akuzën për kryengritje ndaj Yoonit dhe në seancat dëgjimore në janar kërkuan që ai të dënohej me vdekje.
Koreja e Jugut ka një moratorium jozyrtar për dënimin kapital – të burgosurit e fundit ishin ekzekutuar më 1997 – prandaj një dënim me vdekje, efektivisht e lë Yoonin përjetë prapa grilave.
Mijëra mbështetës u mblodhën jashtë ndërtesës së gjykatës para vendimit, duke mbajtur slogane të tilla si “Yoon Madhështor Sërish” ose “Hidhni poshtë akuzat kundër presidentit Yoon”.
Turmat brohoritën kur vetura e burgut e transportoi ish-presidentin për në gjykatë.
Pranë gjykatës u dislokuan forca të sigurisë për të shtypur çdo trazirë.
Përveç këtij dënimi, Yoon veçse ishte dënuar me pesë vjet burgim për akuza të tjera, ndërkaq zyrtarë të tjerë të lartë u dënuan po ashtu me dënime të ashpra me burg./rel
Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ tregon rregulla...
Shisnin drogë pranë shkollave në Durrës, ekzekutohen masat e...
Vdes zyrtarja policore, Policia shpreh ngushëllime
Gjashtëmbëdhjetë nxënës të vrarë në zjarr në një shkollë në ...
Maran zbardh listën e Shqipërisë për miqësoret e qershorit
QKUK: I plagosuri nga sulmi me thikë në Mitrovicë jashtë rre...