“Grabitësit dhe vrasësit e 20-vjeçares ishin shqiptarë”, ambasadorja shqiptare flet pas akuzave në mediat greke

09:46 | 22 Qershor 2021

Pas më shumë se një muaji, autoritetet greke arritën të zbulojnë autorin e vrasjes së 20-vjeçares Caroline Crouch, e cila rezultoi të ishte vrarë nga bashkëshorti i saj grek.

Por para se të zbulohej autorësia e krimit, për shumë ditë me radhë, mediat greke kanë shkruar dhe aluduar se grabitësit dhe vrasësit e të resë ishin shqiptarë. Kjo u nis nga deklarata e rremë e pilotit 32-vjeçar, i cili sajoi historinë e grabitjes, duke deklaruar para autoriteteve se ka dëgjuar njërin prej grabitësve të fliste shqip.

Lidhur me këtë situatë, ka folur edhe ambasadorja shqiptare në Greqi Luela Hajdaraga, e cila ka deklaruar në “Radarin Informativ”, në “Abc News” se ky rast konsiderohet i mbyllur pasi tashmë autorët kanë zbuluar autorin real të krimit. Ajo theksoi se mediat duhet të tregohen të kujdesshme për të mos qenë paragjykuese dhe për të mos kultivuar urrejtjen.

Së pari ky rast konsiderohet i mbyllur pasi organet e kanë zbuluar autorin real të krimit. Deri në zbardhjen e hetimit ka pasur disa pista që kanë krijuar aludime për grupe dhe shtetas të kombësive të ndryshme përfshirë edhe shqiptarë. Mediat duhet të jenë të kujdesshme për të mos qenë ata që thonë fjalën e parë.

Mesazhi më i rëndësishëm që vjen nga ky rast është që të mos bëhemi paragjykues dhe të kultivojmë urrejtjen port ë bashkëjetojmë pozitivisht duke i lënë të bëjnë punën e tyre organet kompetente që në këtë rast kanë punuar intensivisht deri në përfundimin e ngjarjes”, deklaroi ajo.

Pyetur nëse kjo situatë tregoi paragjykimin e grekëve ndaj komunitetit shqiptar, Hajdaraga u shpreh se pas zbulimit të së vërtetës, reagimi ka qenë akoma më pozitiv.

Kur lajme të tilla përgënjeshtrohen dhe kur e vërteta zbulohet të jetë krejt ndryshe, atëherë ka dhe një reagim akoma më pozitiv kundrejt një target grupi të caktuar”, tha ajo.

Lajmet më të lexuara