Gjendet e gjallë një foshnjë nën gërmadhat e ndërtesës së shembur në Rusi

14:20 | 1 Janar 2019
M. A.

Ekipet e shpëtimit në qytetin e Magnitogorskut kanë arritur ta gjejnë dhe ta nxjerrin të gjallë një foshnjë 11-muajshe nga mbetjet e ndërtesës së shkatërruar nga shpërthimi i bombolës së gazit. Foshnja është në gjendje kritike dhe është dërguar në spital për trajtim të mëtutjeshëm.

Deri më tash, ekipet e emergjencave i kanë gjetur tetë trupa të vdekur nën rrënoja, ndërsa ekziston mundësia që numri i të vdekurve të rritet. Autoritetet kanë thënë se shembja e një pjese të ndërtesës kolektive ka ndodhur nga fuqia e shpërthimit të një pajisjeje me gaz. Gazi është lëndë që përdoret shumë në Rusi, sidomos për ngrohje dhe për gatim.

Në listën e të zhdukurve nga kjo shembje janë 36 persona. Shpëtuesit kanë thënë se momentalisht e kanë ndërprerë aksionin e kërkimit për shkak të rrezikut për shembje të pjesëve tjera të ndërtesës. Besohet se sigurimi i hapësirës do t’i marrë të paktën 24 orë kohë. Autoritetet po luftojnë me kohën për ta përfunduar operacionin e kërkimit sepse temperaturat zbresin edhe më shumë gjatë natës.

Ndërtesa e shembur ishte vendbanim për 120 njerëz, ndërsa nga shpërthimi janë shkatërruar 48 banesa. Një dëshmitar ka thënë se shpërthimi është shoqëruar nga një zjarr i madh. Ekipet e shpëtimit kanë arritur t’i nxjerrin nga rrënojat 16 persona të gjallë, në mesin e të cilëve ishin edhe shtatë fëmijë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/gjendet-e-gjalle-nje-foshnje-nen-germadhat-e-nderteses-se-shembur-ne-rusi-611425/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shpërndaje në rrjete sociale