Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme, 20 tetor 2025, qytetin Trecate, në provincën e Novarës në Itali, ku tre të rinj me origjinë pakistane, të moshës midis 20 dhe 22 vjeç, janë përplasur nga një tren.
Njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vend, ndërsa dy të tjerët janë plagosur, raporton Corriere della Serra. Nga të lënduarit, njëri ndodhet në gjendje të rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spitalin “Maggiore di Novara” në gjendje kritike. I treti ka marrë lëndime më të lehta.
Sipas informacioneve të para, dy nga të rinjtë po përpiqeshin të kalonin hekurudhën për të marrë trenin që do t’i dërgonte në Pioltello, ndërsa personi i tretë ndodhej ulur në stacion duke pritur një tjetër tren. Ai është lënduar nga një objekt që u shkëput dhe fluturoi pas përplasjes.
Treni vinte nga Torino dhe ishte parashikuar të mbërrinte në Milano në orën 18:49, por ndaloi menjëherë pas incidentit për t’u lejuar ekipeve të shpëtimit dhe autoriteteve hekurudhore të kryenin verifikimet. Si pasojë, qarkullimi në linjë u ndërpre përkohësisht.
Policia hekurudhore ka nisur hetimet për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes. Sipas Corriere della Sera, deri më tani nuk janë gjetur dokumentet e viktimës dhe të të plagosurve, të cilat mund të jenë humbur gjatë përplasjes. Po ashtu, nuk ka pasur dëshmitarë të drejtpërdrejtë, pasi në momentin e aksidentit pasagjerët e tjerë ndodheshin në nënkalimin e stacionit.
Ministri italian i Infrastrukturës dhe Transportit, Matteo Salvini, reagoi përmes një deklarate ku shprehu dhimbje të thellë për tragjedinë dhe kërkoi një raport të detajuar mbi ngjarjen.
Stacioni i Trecate, një qytet me rreth 20 mijë banorë, është i vogël dhe ka vetëm dy linja hekurudhore dhe një nënkalim. Banorët e zonës janë shprehur të tronditur nga ajo që ndodhi, ndërsa autoritetet po punojnë për të rikthyer qarkullimin normal të trenave dhe për të identifikuar viktimën. / abcnews.al/
Afati i sotëm për tërheqje nga gara zgjedhore, Cakolli: KQZ ...
S’ka pajtueshmëri për votat me postë, KQZ shkon në pauzë
Indonezi: Mbi 900 të vdekur nga përmbytjet, rreziku i urisë ...
Elezi: Më 7 dhjetor, në orën 23:59 mbyllet afati i subjektev...
Man City e shfrytëzon gabimin e Arsenalit, fiton bindshëm nd...
Ish-zyrtari i lartë i DEA-s akuzohet për bashkëpunim me kart...