Çertifikata e vaksinës, shqetësim për klubet e natës në Britani

20:43 | 19 Shtator 2021

Pas një viti e gjysëm të mbylljes për shkak të pandemisë së koronavirusit, klientët e pritën me gëzim rihapjen e klubeve të natës në Britani muajin e kaluar.

Rihapja e klubeve të natës ishte pjesë e fazës së fundit të heqjes së kufizimeve të vendosura nga qeveria.

Por në të njëjtën ditë, Kryeministri Boris Johnson lëshoi një paralajmërim.

“Deri në fund të shtatorit, kur të rinjtë e moshës 18 vjeç e sipër do të kenë patur mundësinë të marrin dy dozat e vaksinës, ne do të vendosim që vaksinimi të jetë kusht për hyrje në klubet e natës dhe në lokale të tjera me turma të mëdha”, tha zoti Johnson.

Që nga ajo kohë, të gjitha klubet dhe lokalet në të gjithë vendin kanë organizuar ngjarje të shumta.

Por ideja e çertifikatës së vaksinës tani ka filluar të rrisë shqetësimin për klubet e natës. Shumë prej tyre, përfshirë “Piano Works”, tashmë kontrollojnë temperaturën e punonjësve dhe të klientëve para se ata të hyjnë në lokal. Kamarierët duhet të testohen një herë në javë.

Për Drejtorin e Operacioneve, Tristan Muffat, këto masa janë të mjaftueshme dhe çertifikata e vaksinës do të diskriminonte klientët e tyre të moshës së re.

“Diskriminimi i klientëve të moshës së re, pra t’u themi atyre se nuk mund të futen në lokal sepse nuk kanë mundur ta bëjnë vaksinën për shkak të moshës së tyre, ose nuk kanë patur mundësinë ta bëjnë atë, bie ndesh me etikën e kompanisë sonë dhe klubit tonë “The Piano Works””, thotë ai.

Dezinfektimi dhe masat e tjera të lidhura me koronavirusin mund t’i kushtojnë deri në 130 mijë dollarë në vit vetëm këtij biznesi.

Zyrtarë thonë se masat kufizuese, përfshirë çertifikatën e vaksinës janë një barrë e re shtesë për këtë industri.

Edhe klubi me famë botërore, “Fabric” ka shtuar masat sanitare.

Drejtori për operacionet i këtij klubi në Londër, Luke Laws është i shqetësuar nga ndikimi që mund të ketë detyrimi për çertifikatën e vaskinimit.

“Si do të kontrollohet? Cilat janë pritshmëritë? A do vlejnë çertifikatat vetëm në Britani apo edhe në BE dhe në nivel ndërkombëtar? Si do të zbatohet kjo për ata që nuk mund ta bëjnë vaksinën për arsye shëndetësore, por duan të shkojnë në klube nate? Ka shumë gjëra të paqarta. E kuptoj që nuk ka zgjidhje të përkryer për këto çështje”, thotë ai.

Në luftën e tij kundër virusit, një klub tjetër ka zbatuar një strategji të pazakontë, duke e kthyer mjedisin e tij të vallëzimit në qendër vaksinimi. Ngjarja e posaçme njëditore u organizua në klubin “Paradise” në Londër, një skenë e njohur për komunitetin LGBTQ+.

Por një nga kërkesat më urgjente të këtij sektori është sqarimi i detajeve të masës për çertifikatën e vaksinës në mënyrë që të bëhen përgatitjet e duhura para se ajo të hyjë në fuqi.

“Është e qartë se qeveria nuk e kupton mirë industrinë tonë dhe mënyrën se si funksionon ajo. Këto biznese kanë vuajtur shumë gjatë 18 muajve të fundit. Ato ishin të parat që u mbyllën dhe të fundit që u rihapën. Nëse qeveria dëshiron të ndihmojë në nxitjen e rimëkëmbjes sonë ekonomike dhe sociale, ne kemi nevojë për qartësi mbi këto rregulla sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne kemi nevojë për plane të hollësishme”, thotë Amy Lamé, përgjegjëse për aktivitetet e natës në zyrën e kryebashkiakut të Londrës.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 75% e popullsisë britanike është plotësisht e vaksinuar kundër COVID-19.

Por, niveli i vaksinimit ne mesin të rinjve është më i ulët, vetëm rreth 60% e personave nën 34 vjeç janë plotësisht të vaksinuar.

Ritmi i vaksinimit mes të rinjve në Britani është ngadalësuar në javët e fundit. Kjo prirje ka bërë që qeveria britanike të ofrojë stimuj, duke përfshirë pica falas për të bindur të rinjtë që të bëjnë vaksinën kundër koronavirusit./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara