Presidenti çek, Petr Pavel, firmosi të enjten një ndryshim në Kodin Penal të vendit, i cili kriminalizon promovimin e ideologjisë komuniste. Ligji i ri e vendos propagandën komuniste në të njëjtin nivel me atë naziste.
Sipas legjislacionit të rishikuar, kushdo që “mbështet ose promovon lëvizje naziste, komuniste apo të tjera që synojnë, në mënyrë të provueshme, shtypjen e të drejtave dhe lirive të njeriut ose që nxisin urrejtje racore, etnike, kombëtare, fetare apo klasore” mund të dënohet me burg deri në pesë vjet.
Ky ndryshim vjen pas thirrjeve të institucioneve historike çeke, përfshirë Institutin për Studimin e Regjimeve Totalitare, të cilat e kanë cilësuar si “pabarazi ligjore” mungesën e këtij ndalimi për komunizmin. Gjatë regjimit komunist, mbi 250 mijë persona u arrestuan dhe mijëra të tjerë humbën jetën në burgje.
Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra nga Partia Komuniste e Bohemisë, e udhëhequr nga eurodeputetja Kateřina Konečná. Kjo parti është pjesë e koalicionit opozitar “Mjaft”, që kundërshton politikat e presidentit Pavel.
Ende mbetet e paqartë se si do të zbatohet ligji i ri ndaj partive politike me orientim të majtë. Aktualisht, Partia Komuniste nuk ka përfaqësim në parlament, por sondazhet e fundit tregojnë se aleanca e saj gëzon rreth 5% të mbështetjes, mjaftueshëm për të rikthyer përfaqësimin në Dhomën e Ulët në zgjedhjet e tetorit. / abcnews.al
Mbyllet dy ditë për qarkullim rruga “Muharrem Fejza” në Pris...
Hyseni dhe Sveçla vizitojnë pikën kufitare tek Dheu i Bardhë...
Policia jep detaje për aksionin që çoi në arrestimin e shtat...
Disa persona marrin tretman mjekësor në Gjilan – shkak tymi ...
Tragjike në Greqi/ 19-vjeçari shqiptar humb jetën, ra nga ba...
Një person shoqërohet në polici për transport ilegal të druv...