Fundjava duket se ka ngrirë Londrën jo vetëm në aspektin atmosferik, por edhe atë politik, kur e kthyer me duar bosh nga takimi me udhëheqësit e lartë të BE-së në Bruksel, kryeministrja britanike Theresa May ka përballë edhe kabinetin e vet të përçarë për “Planin B” të “Brexit”-it.
Duket se shumica e kabinetit të saj ministror kërkon mbajtjen e një referendumi të dytë, pasi mendon se plani i saj për “Brexit” i përngjan një qenieje të ngrodhur në ujë.
Theresa May shpresonte të siguronte koncensione gjatë takimeve në samitin e BE-së, sidomos për mekanizmin për pengimin e një kontrolli të mirëfillte kufitar mes Irlandës së Veriut, pjesë e Britanisë, dhe Republikës së Irlandës, anëtare e BE-së.
Por, udhëheqësit europianë ishin të qartë se nuk do të kishte rinegociim.
Ndërkohë, vetëm disa orë pasi ish-kryeministri britanik Tony Blair u kërkoi udhëheqësve të BE-së dhe zonjës May të shtynte afatin e hyrjes në fuqi të “Nenit 50” për tërheqjen nga BE-ja, me qëllim që të votohej sërish nga publiku britanik për të zgjidhur ngërçin për “Brexit”-in, edhe udhëheqësi më i spikatur euroskeptik, “babai i Brexit-it” Nigel Farage deklaroi se besonte që Britania mund të përballej me një referendum të dytë. Ai u kërkoi mbështetësve të tij të përgatiteshin për çdo skenar.
Situata mbetet konfuze dhe askush nuk di të thotë me siguri sesi do të precipitojnë zhvillimet, pasi të panjohurat dhe variantet janë të shumëllojshme. Mbetet të shihet se cili do ta luajë me bukur “pokerin”, Londra apo Brukseli, deri në sekondën e fundit para mesnatës së fundit të Britanisë në BE, ose ditës së parë të saj jashtë unionit.
“Liria ka Emër” viziton familjen e Kadri Veselit: Solidarizo...
Rritet presioni ndaj Serbisë për Banjskën, Zëvëndësekretarja...
Aksident fatal në Athinë, vdes një 16-vjeçar shqiptar
Drita mezi mund Drenicën, vendos Besnik Krasniqi
Kurti u takua me deputetë të Bundestagut gjerman
Rama: Korridori VIII certifikohet si korridor sigurie për fo...