Bidenit i rekomandohen sanksione për të gjithë ata që kërkojnë “Shqipërinë Etnike”

23:49 | 18 Janar 2022

Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit “Johns Hopkins” dhe Qendra Wilson në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë të martë kanë dalë me një raport, i publikuar nga gjashtë autorë, në të cilin katër prej tyre vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, përkatësisht Serbia, Sllovakia, Spanja dhe Serbia, ndërsa dy autorë të tjerë vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova.

Në raport, SHBA-ve i kërkohet që t’i sanksionojë të gjithë ata që kërkojnë një bashkim të mundshëm të Kosovës me Shqipërinë, dhe gjithashtu i kërkohet edhe emërimi i një emisari tjetër special për sigurimin e njohjeve për Kosovën.

“Kërkohet zbatimi i hapave nga ana e Administratës Biden, duke përfshirë emërimin e një të “Dërguari Special për Njohjen e Kosovës” së bashku me një paralajmërim të SHBA-së që të sanksionojë çdo lider në Kosovë e Shqipëri që promovon idenë e ndonjë “bashkimi” mes të dy vendeve”, thuhet në raport, transmeton kk.

Gjithashtu, në këtë dokument thuhet se dialogu, i cili sipas autorëve të dokumentit cilësohet i vdekur, do të transformohej vetëm atëherë kur Kosova do të njihej nga katër vendet anëtare të NATO-s që janë Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania.

“Të bindësh katër shtete anëtare të NATO-s, si dhe të pestën – Qipron, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian, por jo e Aleancës Veriatlantike, nuk është e lehtë. Do të duhet një përpjekje e madhe nga administrata e presidentit amerikan Joe Biden, së bashku me aleatët tjerë, për t’i bindur vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ta ndryshojnë qëndrimin e tyre”.

“Politikëbërësit përtej oqeanit do të investojnë në këtë strategji vetëm nëse janë të bindur për domosdoshmërinë, përfitimet më të mëdha dhe qëndrueshmërinë e një qasjeje të tillë”, janë shprehur autorët ndër të tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara