Dëshmia në Kongres e ish-avokatit personal të Presidentit Donald Trump, Michael Cohen, tërhoqi mjaft vëmendje në Uashington, në një kohë kur presidenti po vihet gjithnjë e më tepër nën lupën e medias dhe të politikanëve të opozitës.
Për disa analistë, dëshmia e ish-avokatit ktheu në kujtesën e vendit momentet dramatike të një epoke tjetër, atë që u quajt skandali Uotergejt i viteve 1970, i cili përfundimisht e detyroi Presidentin Richard Nixon të largohej nga posti.
Ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, sulmoi ashpër presidentin, njeriun për të cilin dikur thoshte se do ta mbronte qoftë edhe duke i dalë vetë plumbit përpara. “Donald Trump është një njeri i cili e vuri kandidaturën për të bërë të madh emrin e tij dhe jo vendin. Ai nuk kishte as dëshirën dhe as synimin për të drejtuar vendin, por thjesht për të reklamuar veten dhe për të rritur pasurinë dhe fuqinë e tij.”
Zoti Cohen e implikoi Presidentin Trump në akuza konkrete për shkelje kriminale, të cilat Presidenti Trump i ka mohuar në mënyrë të përsëritur. Presidenti vazhdon gjithashtu të minimizojë hetimin për Rusinë të drejtuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.
“Nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë. Ajo që thuhet është mashtrim. Nuk ka patur asgjë. Është një turp. Është turp për vendin tonë.”
Dëshmia e ish-avokatit Cohen u kujtoi njerëzve skandalin e Uotergejtit në vitet 1970, kur presidenti i atëhershëm Riçard Nixon u akuzua për shkelje kriminale nga njëri prej ndihmësve, John Dean:
“Unë e kuptoj se kjo është pothuajse një detyrë e pamundur, nuk është aspak një situatë e këndshme. Por unë mund të flas vetëm për atë që di të jetë fakt dhe pikërisht këtë po i them këtij komisioni”.
Dëshmia e zotit Dean implikonte presidentin Nixon në Shtëpinë e Bardhë se kishte fshehur hyrjen e njerëzve të tij në selinë e Partisë Demokratike në kompleksin Uotergejt në vitin 1972. Pas nisjes nga Kongresi të procedurave të shkarkimit, Presidenti Nixon dha dorëheqjen – i vetmi president amerikan që e ka bërë këtë.
“Unë kurrë nuk kam qenë nga ata që i largohen përgjegjësisë. Fakti që largohem nga posti para se të më përfundojë mandati, kjo është diçka e neveritshme për çdo instinkt në trupin tim. Por, si president, unë duhet të vendos interesat e Amerikës mbi të gjitha”.
Vrasja e 11-vjeçares në Francë, arrestohet edhe vëllai i të ...
“Investimet e huaja nuk shkatërrojnë mjedisin”, Rama: Ato nu...
Therje me thikë në Gjilan, arrestohen dy persona
Fushë Kosova nis dezinsektimin në hapësirat publike më 10 dh...
Izraeli kryen sulme të reja në Tiro, urdhër evakuimi për ban...
Real Madrid dhe Barcelona në garë për Julián Álvarez