Gjendja e rëndë shëndetësore, presidenti çek nuk është në gjendje të kryejë detyrat

19:38 | 18 Tetor 2021

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman aktualisht nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij, tha më 18 tetor, kryetari i Senatit çek, Millosh Vystrcil.

Ai u thirr në një raport mjekësor nga spitali ku Zeman po qëndron në kujdes intenziv për më shumë se një javë.

Vystrcil u tha gazetarëve se ka gjasa të vogla që Zeman të kthehet në punë në javët e ardhshme.

Ai tha se parlamenti duhej të shqyrtojë miratimin e një neni kushtetues që mundëson transferimin e detyrave të presidentit te zyrtarët e tjerë.

Zeman u dërgua me urgjencë në spitalin ushtarak të Pragës më 10 tetor, një ditë pas zgjedhjeve për dhomën e ulët të parlamentit.

Mjekët kanë thënë se diagnoza e Zemanit 77-vjeçar nuk do të zbulohej për publikun, raporton Rel.

Mediat çeke kanë spekuluar se ai vuan nga një sëmundje e rëndë e mëlçisë. Zeman, që është konsumues i duhanit, vuan nga diabeti dhe në javët e fundit ka përdorur karrocë për të lëvizur.

Zeman luan rol vendimtar në përcaktimin e asaj që do të ndodhë tani, sepse si president është përgjegjës për emërimin e kandidatit që do ta formojë Qeverinë e re.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara