LVV dënon sulmin ndaj Mehanit

14:14 | 14 Maj 2026
E.G

Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar sulmin që ka ndodhur sot në Skenderaj ndaj kryetarit të qendrës së saj në Skenderaj, Hysni Mehani. Ky subjekt politik thotë se sulmi ka ndodhur në një kafe në qendër të Skenderajt.

“Është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Tutje theksohet se Hysni Mehani fillimisht është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë.

“Pas përpjekjes së Sekretarit të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor. Ky sulm fizik bandistesk tregon qartë përse këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucioneve publike qendrore e lokale”, thuhet tutje në reagimin e LVV-së, ku është postuar edhe foto e Mehanit me fytyrë të gjakosur.

Vetëvendosje ka kërkuar nga organet kompetente ta trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. Po ashtu, ky subjekt politik ka kërkuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dënimin e këtij akti.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër këtë sulm fizik, por njëkohësisht u tregon gjithë këtyre se nuk mund ta trembin as ta frikësojnë asnjë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e qytetar të Republikës”, thuhet në fund të reagimit të LVV-së.

Shpërndaje në rrjete sociale