Fillimit të pranverës, stinës së luleve, çdo vit i paraprinë dita e gruas, 8 marsi. Në këtë ditë që konsiderohet e rëndësishme, një prej krijueseve të shumë veprave letrare Mevlyde Mezini – Saraçi rrëfen 8 marsin dikur dhe sot, raporton Syri.netKosova.
Po para kësaj, duhet kujtuar se zonja Mezini – Saraçi ka një cv të pasur për punën dhe aktivitetet e saj. Ajo ka qenë e inkuadruar në aktivitetin politik e humanitar në vitin 1989, derisa për këtë aktivitet ishte burgosur nga policia serbe në Gjakovë në vitin 1998 duke vuajtur dënimin në burgun hetues të Lipjanit.
Në muajin mars të vitit 1998 është zgjedhur kryetare e Këshillit komunal për ndihma emergjente në Gjakovë, për të strehuar të dëbuarit nga zonat e luftës dhe për furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ishte edhe veterane e ushtrisë.
Kontributi i saj ka qenë edhe në fushën e arsimit si mësimdhënëse, për çka edhe u shpall qytetare nderi e Lushnjës më 2007, derisa më 2012-tën “Gruaja shqiptare e vitit”.
Por jo vetëm kaq veprimtaria e saj përfshin edhe shumë aktivitete tjera kontibutdhënëse për shtetin e Kosovës.
Për ditën e gruas, Mevlyde Mezini – Saraçi për Syri.netKosova thotë se kjo ditë e veçantë dedikuar gruas duhet shfrytëzuar si ditë për të protestuar, për të luftuar për të drejtat e saj, por fatkeqësisht dalëngadalë kjo përpjekje sikur po shuhet!
Rrëfimi i plotë:
Më kujtohet kur isha fëmijë, e prisja me pa durim mëngjesin e 8 marsit, në mënyrë që duke këputur nga kopshti ynë një lule të freskët, t’i gëzoja nënën dhe motrat që ishin më të mëdha se unë.
Ishte një shenjë dashurie e respekti, një ndjenjë e veçantë përkushtimi për t’ia kujtuar nënës që një ditë do ta përqendrojmë të gjithë vëmendjen nga ajo.
Mbase ishte dita kur e shikonim babanë duke përgatitur drekën apo edhe duke larë enët, mirëpo të nesërmen vazhdonte jeta me ritmin e së djeshmes, pasi nëna ishte shtylla e shtëpisë dhe përgjegjësja kryesore për të bërat apo të pabërat.
Ende e ndjej atë aromën e këndshme të luleve të kopshtit tim, kur menjëherë pas nënës dhe motrave të mija, duart e mija të vogla këpusnin lule për mësuesen, të cilën e doja aq shumë.
Ajo ishte një vajzë e re e cila në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare për herë të parë mori ditarin në duar duke na mësuar shkronjat shqipe. E si të mos i dërgonim lule kur mësuesja jonë ishte më e mira në shkollë.
Më zgjon nostalgji ajo kohë, kur kishim aq pak pasuri materiale por kishim dashuri të pakufi për njëri tjetrin.
Më kujtohen ditët e bukura tek i shikoja nënën dhe babanë tek i shprehnin dashurinë hapur njëri tjetrit çdo ditë dhe përveç kujdesit të ndërsjellë ata madje nuk hezitonin t’i kërkonin edhe falje njëri tjetrit.
Mendoj se për nënën time edhe pse e ngarkuar me shumë halle, kishte gëzime, më shumë se një ditë.
Sigurisht se në një familje ku mbretëron gjinia femërore, jeta zhvillohet ndryshe dhe fryma e tolerancës dhe mirëkuptimit përhapet me shpejtësi drite. Fëmijëri të tillë kujtoj unë.
Më vonë e kuptova më saktë se çka përfaqëson dita e gruas dhe u përpoqa të bëhem pjesë e angazhimeve dhe proceseve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe me theks të veçantë të gruas dhe fëmijës.
Edhe sot e kësaj dite ndjej emocion për ato mëngjeset e bukura kur si nuse e re, zgjohesha nga gjumi gjeja buqetën e luleve, në të cilën dehesha e përgjumur dhe prapa derës dëgjoja frymëmarrjen e bashkëshortit tim i cili qëndronte në pritje të reagimit tim.
Natyrisht që ishte ndjenjë e bukur të pranosh lule nga njeriu i zemrës por edhe nga fëmijët dhe familjarët tjerë.
Pastaj, si mësimdhënëse kam përjetuar kaq shumë dashurinë dhe përkujdesjen e nxënësve të cilët janë munduar të gjejnë lulet më të bukura për mësuesen. Madje më ka ndodhur rasti, kur një nxënës nuk ka gjetur lule në kopshtin e tij dhe rrugës për në shkollë e ka këputur një fije bari të njomë dhe n ‘atë mënyrë e ka shprehur urimin e tij për dy festat 7 e 8 marsin. E kam pranuar me aq ngrohtësi duke i thënë atij dhe të tjerëve se lulet dhurohen në çdo stinë dhe kurdo gjatë vitit, pasi lulet shprehin ndjenjën e respektit, mirënjohjes, dashurisë dhe solidaritetit dhe nuk duhet shqetësuar nëse ditën e caktuar mungojnë lulet e freskëta.
Kështu e kam përcjellë traditën edhe në familje duke u treguar se festë nuk është tetë marsi por janë të gjitha ditët e lumtura të jetës, të cilat rrjedhin me mirëkuptim dhe dashuri të ndërsjellë.
Tani në moshën e tretë kur shikoj që kam lënë pas kaq shumë vite, kaq shumë përjetime, kaq shumë vepra të cilat i plotësoj edhe sot e kësaj dite, ende mendoj se kam kohë të punoj dhe veproj.
Të drejtat e gruas mbase me gojën plotë drejtësi por në vepra, dallojnë nga vendbanimi në vendbanim apo edhe nga zonat rurale dhe urbane.


Në shekullin e njëzetenjë nuk ka kuptim që të shpërfaqemi si gra, vetëm me ndeja e mbrëmje muzikore për hir të festës së 8 marsit, në vend se të ngremë zërin, të rrahim tavolinën, të bëjmë greva e protesta për të mbrojtur të drejtat elementare për jetë, të luftojmë dhunën në familje, në shkollë, në shoqëri, në punë e kudo.
Në Kosovë këto veprime janë të rralla por edhe nëse ndodhin janë fare të pa dukshme! Mendoj se ngjashëm ndodhë edhe në Shqipëri.
Më pengon të dukem si dekor e jo si grua, si mall e jo si vlerë, si shërbëtore e jo si zonjë, si kategori e fundit në shoqëri e jo si e barabartë në të drejta, veprime dhe pozita.
Diçka që më mbush jetën pikërisht në këto data, sidomos 7 e 8 marsi, janë dhuratat e nipërve dhe mbesave, të cilët më shkruajnë letra dhe urime, më bëjnë vizatime me komente dhe përqafime të pafund, por ata që banojnë më afër më dhurojnë edhe lule të freskëta!
Nuk do të lejoja të humb treqind e gjashtëdhjetë e katër ditë të tjera të vitit, të jetoj në ferr duke më përkëdhelur vetëm një herë në vit, prandaj lufta jonë për të drejta tona duhet të bëhet çdo ditë në mënyrë që mbase kjo ditë e gruas vërtet të ndjehet si festë e bilanceve vjetore, festë e realizimit të synimeve, festë pa dhunë në familje, në shkollë, në shoqëri!
Kam provuar t’i dhurojë lule nënës sime edhe pas vdekjes dhe ti flas edhe tek varri duke shprehur dashurinë dhe mirënjohjen për gjithë sakrificat që ka bërë për rritën tonë, shkollimin, emancipimin dhe ngritjen e të gjithë fëmijëve në mënyrë të barabartë dhe jam munduar t’i shpjegoj se asnjëherë nuk kam pushuar së dashuruari frymën e shpirtin e saj, atë fytyrën e bukur, zërin e saj të veçantë por asnjëherë pas vdekjes nuk kam arritur t’ia dëgjoj frymëmarrjen e saj!
Prandaj le të jetë ky mesazh se dashuria kultivohet çdo ditë dhe jo vetëm një ditë në vit dhe se festa e tetë marsit është një ditë që i përket gruas në mbarë globin, si njëra nga ditët e saj të veçanta por jo vetëm!
Nëna, motra, bija dashuroni dhe luftoni për të drejtat tuaja, por mos ua mohoni as të drejtat e të tjerëve!/Syri.netKosova
Situata me ujin e pijshëm, IKSHPK del me njoftim
Ambasada në Prishtinë rikujton: DASh ka pezulluar lëshimin e...
Kurti takoi ambasadoren e re të Estonisë
Arrestohet në Fier 23‑vjeçari në kërkim ndërkombëtar, pjesë ...
Venezuela liron amerikanët/ DASH: Hap i duhur nga autoritete...
KOSTT: Stabilizohet gjendja në sistem pas rritjes së prodhim...