Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) janë deklaruar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.
MAShT ka thënë se e konsideron që Aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të jurisdiksionit të saj) të gjendjes së krijuar.
“Ne respektojmë Aktgjykimin në plotni, ashtu siç e përcakton shkronja dhe fryma e Kushtetutës. Megjithatë, siç është e vërejtshme edhe në vet dispozitivin e Aktgjykimit në fjalë, aty vetëm ‘deklarohet’ një mospërputhje e një gjendjeje faktike që është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021. Një fakt i tillë është tregues që Aktgjykimi KO145/21 nuk përcakton asnjë mospërputhje kushtetuese që ekziston aktualisht, apo të tillë që do të duhej t’i ndërpritej pasoja juridike (paragrafi 92 i Aktgjykimit)”, thuhet në komunikatën e MShTI-t të cilën e ka publikuar në profilin e saj edhe ministrja Arbërie Ngavci.
Komunikatë për medie në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO145/21
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me Aktgjykimin KO145/21, që është rezultat i parashtresës së Komunës së Kamenicës, në të cilin është kontestuar Vendimi 01B/24 i MAShTI-it “Për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”.
Rikujtojmë se Vendimi 01B/24 është marrë më 23 prill 2021, me qëllim që t’u mundësohet nxënësve të pesë vendbanimeve të Komunës së Kamenicës kompensimi i pjesshëm i orëve të humbura, si rezultat i mosvijimit të mësimit prej fillimit të vitit shkollor 2020/21. 441 nxënës të moshës 6-14 vjeç nuk e kanë vijuar mësimin për 8 muaj, e më shumë se 100 prej tyre nuk kanë vijuar mësimin për rreth dy vite. Prandaj, me këtë vendim, MAShTI ka konsideruar përmbushjen e obligimin ligjor për t’iu siguruar fëmijëve të mbetur jashtë shkollës të drejtën për shkollim, duke konsideruar se mbrojtja e interesit të fëmijëve bën pjesë në kategorinë e obligimeve parësore.
Pa u ndalur në interpretimin e Aktgjykimit, për shkak të njohjes së funksionit të Gjykatës si interpretues i Kushtetutës, risjellim në vëmendje se situata faktike e krijuar që nga fund-korriku 2021 dhe në vijim, është plotësisht në përputhje me përcaktimin e Aktgjykimit në fjalë, prandaj MAShTI-i nuk ka nevojë të ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të tillë. MAShTI-i konsideron që Aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të jurisdiksionit të saj) të gjendjes së krijuar.
Ne respektojmë Aktgjykimin në plotni, ashtu siç e përcakton shkronja dhe fryma e Kushtetutës. Megjithatë, siç është e vërejtshme edhe në vet dispozitivin e Aktgjykimit në fjalë, aty vetëm ‘deklarohet’ një mospërputhje e një gjendjeje faktike që është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021. Një fakt i tillë është tregues që Aktgjykimi KO145/21 nuk përcakton asnjë mospërputhje kushtetuese që ekziston aktualisht, apo të tillë që do të duhej t’i ndërpritej pasoja juridike (paragrafi 92 i Aktgjykimit).
Pas një analize të të gjeturave të Aktgjykimit, MAShTI-i vëren që ky i fundit e ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të MAShTI-it sa i përket përputhshmërisë së tij me parimet e vetëqeverisjes lokale, vlerësim ky i natyrës kryesisht formale, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së jurisdiksionit në rastin konkret, nuk e ka vlerësuar aspektin e përputhshmërisë së Vendimit 01B/24 me të drejtën në arsim të garantuar me Nenin 47 të Kushtetutës (ndërlidhur me Nenin 2 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Një konstatim të tillë e bën vet Gjykata në paragrafin 126 të Aktgjykimit në fjalë. Rrjedhimisht, vlerësojmë se Aktgjykimi është i kufizuar vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë formale të Vendimit të kontestuar, e jo aspekteve përmbajtësore të ndërlidhura me të drejtën e fëmijëve në arsim sa i përket ofrimit të detyrueshëm të shkollimit fillor për secilin nxënës në mënyrë të barabartë.
Vendimi 01B/24 nga MAShTI-i, ishte ndërmarrë me qëllim të përmbushjes së obligimeve pozitive të shtetit të Kosovës sa i përket të drejtave të fëmijëve në Komunën e Kamenicës në raport me ofrimin e shërbimit të mësimit fillor për nxënësit që kishin mbetur për më shumë se dy vite pa mundësinë e ndjekjes së shkollimit publik. Ne kemi përmbushur një obligim që ishte edhe literalisht i përcaktuar në Nenin 3 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar (‘MAShTI-i, komunat, institucionet arsimore […] [janë të obliguara] që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efikase, efektive, fleksibile, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim […]’). MAShTI-i nuk mund të mos e përmbushte një obligim të tillë pavarësisht faktit që ai mund t’i nënshtrohej kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Pas balancimit të të drejtave dhe detyrimeve të subjekteve të përfshira, mbrojtja e interesit të fëmijëve hyn në kategorinë e obligimeve parësore ligjore. Theksi i shkronjës së ligjit në fjalë ishte eksplicit sa i përket detyrimit tonë për të ndërmarrë masa ndaj kërkesave të nxënësve/prindërve të tyre. Përmbushjen e një obligimi të tillë MAShTI-i e ka bërë pa paragjykim ndaj të drejtës së kujtdo për të kërkuar rishikimin e Vendimit të tillë nga një instancë gjyqësore, që është një proces krejtësisht normal në një demokraci liberale.
Vlen të ceket se lidhur me këtë çështje Avokati i Popullit, më 19 gusht 2020, kishte lëshuar Raport me të cilin ka rekomanduar kryetarin e atëhershëm të Komunës së Kamenicës, dhe ministrin e atëhershëm të Arsimit, të rivlerësojë Vendimin 02 Nr. 26397, datë 30.08.2019, ashtu që riorganizimi i shkollave të bëhet në mbështetje të plotë me dispozitat ligjore dhe në bashkëpunim me MASh-in. Raporti i është drejtuar edhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Ginore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Aty konstatohet se moszhvillimi i procesit mësimor në shkollat e Kamenicës përbënte shkelje të së drejtës për shkollim e përcaktuar me nenin 47 të Kushtetutës. Vendimet e nxjerra janë në kundërshtim me legjislacionin dhe standardet ligjore, është rrezikuar shëndeti i fëmijëve dhe në kundërshtim me interesin më të mirë të tyre, është zhvilluar si proces pa pasur konsultim të plotë me palët e përfshira në proces.
Avokati i Popullit ka konstatuar se sistemi arsimor duhet të jetë i njëjtë në të gjitha komunat, prandaj organizimi i sistemit arsimor mund të bëhet vetëm nga MAShTI dhe në tërë territorin e Kosovës./arbresh.info/
Afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës mbyllet sot
Sulmuan zyrtarët policorë, arrestohen dy të dyshuar në Klinë
Zhduket një vajzë në Prizren
Tre persona arrestohen në Suharekë, dyshohen se rrëmbyen dhe...
Arrestohet në Kroaci dhe ekstradohet në Kosovë një person i ...
Parashikimi i motit për këtë të diel në Shqipëri