Topalli thotë se LDK-ja dhe VV-ja ia kanë dhënë komoditetin Thaçit

00:01 | 16 Nëntor 2018

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli, ka folur për seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, ku do të diskutohet për skandalet diplomatike të politikës së jashtme e aty nuk do të jenë as kryeministri Ramush Haradinaj e as ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Topalli në Interaktiv të KTV-së, tha se kjo seancë nuk ka kuptim nëse akterët kryesorë që i përfaqësojnë temat për çka do të diskutohet, nuk janë të pranishëm.

“Por megjithatë këtë çështje do ta vendosin ata që e kanë thirrur seancën. Në parim, mendoj që seanca mund të mbahet”, tha Topalli, transmeton Koha.net.

Deputeti i PSD-së, tha se diplomacia kosovare, duke pasur përballë një armik të përkushtuar si Serbia, për diplomacinë kosovare ka qenë e vështirë të bëjë hapa përparimtarë.

“Diplomacia jonë është pak neglizhente. Pavarësisht përpjekjeve, arritjet janë të vogla”, tha Topalli.

Topalli ka thënë se edhe debati i vonuar për dialogun, duhet patjetër të mbahet e të diskutohet për të.

Takimin e Hashim Thaçit me Vladimir Putinin në Paris, nuk e ka kritikuar sepse ka thënë se është detyrë e një presidenti të bëjë takime të ngjashme.

“Nuk kemi qëndrim zyrtar por në parim është detyrë e kryetarëve të shteteve, në këtë rast edhe Thaçit, që të bëjë takimet të tilla, formale por edhe joformale. Është në mandatin e presidentit të Kosovës, cilido qoftë ai president, të ketë takime të tilla”, tha deputeti i PSD-së.

Topalli tha se qëndrimi i Rusisë megjithatë dihet, që gjithnjë mbështet politikën e Serbisë.

Deputeti i PSD-së, ndër të tjera, tha se duhet vendosur sa më shpejt marrëdhënie diplomatike edhe me Serbinë e edhe me Rusinë. Por tha se ky është qëndrim i tij personal. “Dihet qëndrimi armiqësor i tyre, por për mendimin tim, duhet të kemi marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet”, tha ai, duke mos komentuar qëndrimet e kundërta që vijnë nga dy partitë tjera opozitare, LDK-në dhe VV-në.

“Habitem më shumë me Lidhjen Demokratike të Kosovës që veç ka qenë në pushtet në nivelin nacional”, tha Topalli.

Për sa i përket koalicionit qeverisës dhe kërcënimeve nga Lista Serbe se do të mbështesin çdo përpjekje për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj, Topalli tha se nuk e sheh arsyetim të mirë këtë.

“PSD-ja ka disa muaj që i ka dërguar nënshkrimet e veta për rrëzimin e qeverisë. Dy partitë tjera opozitare këtë nuk e kanë bërë. Lista Serbe e bëri këtë qëndrim në kohën kur Republika e Kosovës e ka vendosur tarifën ndaj mallrave serbe. E bëri në çastet kur ne ia treguam vendin Serbisë. Nuk mendoj që është me vend megjithatë. Mendoj që vendimi që u mor nga Qeveria për këtë tarifë është veprim i mirë, do të ishte mirë që opozita mos ta mbështeste Listën Serbe për këtë arsye”, tha Topalli tutje në Interaktiv.

“Ne jemi të gatshëm ta rrëzojmë Qeverinë, por me kërkua rrëzimin e Qeverisë në këtë mënyrë është çështje që duhet të diskutohet mirë brenda partive opozitare”, tha ai.

Topalli tha se një prej karakteristikave të PSD-së, është që duan të jenë konstruktiv e s’duan të udhëhiqen me inate.

“S’është qëllimi ynë të jemi në pushtet”, tha Topalli, duke theksuar përsëri se duan ta rrëzojnë Qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj.

“Por nëse ne si opozitë duam me të vërtetë ta rrëzojmë këtë qeveri, do të uleshim ta diskutonim mirë, por s’ka interesim nga partitë tjera opozitare. PSD-ja, s’ka gjasa ti bashkëngjitet koalicionit qeverisës, nëse do të donim të t’i bashkëngjiteshim por s’e duam. Ne as kuorumin nuk ua bëjmë asnjëherë”, tha ai.

Topalli, bindshëm tha se nuk e kanë asnjë synim as dëshirë që t’i bashkohen koalicionit qeverisës.

“Partitë tjera kryesore opozitare, janë ato parti që ia kanë dhënë komoditetin Thaçit. S’janë fare seriozë”, tha ai.

Rezoluta e dialogut nga opozita, tha Topalli, kanë kërkuar si PSD që t’i kaloj Kuvendit pasi aty do të krijohet një strategji e përbashkët në bisedimet me Serbinë dhe më pas do të krijohet edhe një komision mbikëqyrës që monitoron bisedimet me Serbinë./Koha.net/

Lajmet më të lexuara