Ministria e Punëve të Jashtme thotë se një kontratë me një kompani amerikane është dokument i klasifikuar, ani pse Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se e njëjta është publike në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së. Shteti do të paguajë 540 mijë euro për këshilla ligjore dhe mbështetje për marrëdhëniet e Qeverisë dhe aktivitetet e komunikimit publik.
Më 1 shtator 2018, zëvendësministri i MPJ-së, Anton Berisha, ka nënshkruar kontratë mbi gjysmë milion euro me kompaninë amerikane “Pillsbury”.
Kjo kontratë e nënshkruar mes dy palëve, është bërë publike nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-s më 10 shtator të këtij viti, por MPJ i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë së ky është dokument i klasifikuar.
Ne këtë kontratë thuhet se do te merren këshilla ligjore dhe mbështetje për marrëdhëniet e Qeverisë dhe aktivitetet e komunikimit publik. Por, këto shërbime do t’i kryejë një kompani e nënkontraktuar “Chartwell Strategy Group”. Ndërsa “Pillsbury” do të bëjë strategji për implementimin e këtyre objektivave.
Gazeta JNK ka pyetur nënshkruesin e kësaj kontrate, Anton Berisha, i cili vjen nga AAK, se për çfarë shërbimesh specifikisht bëhet fjalë dhe se kush e ka negociuar këtë kontratë, si dhe i dedikohet e njëjta Qeverisë apo edhe Zyrës se Kryeministrit. Por, ai ka thënë se kontrata është sekrete.
“Ju i referoheni një dokumenti që është i klasifikuar dhe si i tillë ka kufizimet ligjore. Çdo zyrtar brenda qeverisë, por edhe persona të tjerë fizikë e juridikë që e trajtojnë përmbajtjen jashtë normave të parapara dhe në mënyre të paautorizuar do të bartin pasoja administrative dhe ligjore”, thuhet në përgjigjen e Agron Kacolit nga Zyra e Anton Berishës.
Por, kontratën që Berisha i referohet si sekrete, media e ka gjetur të publikuar në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së.
“Pillsbury Winthriop Shaw Pittman” dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë nënshkruar kontratë një vjeçare, e cila çdo muaj do t’i kushtojë Kosovës 45 mijë euro, që në total i bie 540 mijë euro.
Gazeta ka dërguar pyetje shtesë, se si mund të konsiderohet dokument i klasifikuar një kontratë e cila është publike dhe mbi çfarë kriteresh është klasifikuar e njëjta.
“Pala tjetër ka të drejtën e publikimit, në kufizimet sipas kontratës”, thuhet në përgjigje.
Përgjigja e zyrës së Zëvendësministrit thotë se dokumenti është i klasifikuar si i tillë në përputhje me kompetencat që ka qeveria, por nuk jep përgjigje se si mund të klasifikohet si sekret një dokument i cili është publik.
Ligji për Klasifikimin e Informacioneve, në nenin 6 të tij përcakton katër nivele të klasifikimit: tepër sekret, sekret, konfidencial dhe i kufizuar. Por, Gazeta JnK nuk ka marrë përgjigje se në cilin nga këto nivele është i klasifikuar dokumenti në fjalë, e cila kontratë është publike.
Në kontratën e nënshkruar në Prishtinë, thirren në vendimin me numër 12/18 të Qeverisë, të datës 16.02.2018, por ky vendim nuk është publik në faqen e Qeverisë.
Gazeta ka pyetur edhe Zyrën e Kryeministrit nëse ekziston një vendim i tillë, por nuk ka marrë përgjigje.
Në faqen zyrtare të ZKM-së, në të cilën publikohen vendimet e Qeverisë, nuk ka vendim të kësaj date.
Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ tregon rregulla...
Shisnin drogë pranë shkollave në Durrës, ekzekutohen masat e...
Vdes zyrtarja policore, Policia shpreh ngushëllime
Gjashtëmbëdhjetë nxënës të vrarë në zjarr në një shkollë në ...
Maran zbardh listën e Shqipërisë për miqësoret e qershorit
QKUK: I plagosuri nga sulmi me thikë në Mitrovicë jashtë rre...