Incest, dhunë në familje e braktisje, strehimorja në Prishtinë shtëpi e shpresës për gratë

17:54 | 16 Korrik 2019
A Z

Momentalisht në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, po qëndrojnë dy gra. Njëra prej tyre me vete i ka edhe tre fëmijët e saj. Ajo është viktimë e dhunës në familje nga bashkëshorti i saj. Kjo qendër është vendi ku janë strehuar shumë gra dhe vajza viktima të dhunës në familje. Vetëm gjatë këtij viti aty kanë kërkuar strehim 45 gra e 25 fëmijë, shkruan Gazeta Express

Kishte nisur një lidhje të zakonshme. Nga kjo lidhje një vajzë e re nga Prizreni kishte mbetur shtatzënë. Por burri nga i cili kjo vajzë po e mbante në bark një fëmijë, e braktisi atë duke e lënë nën mëshirën e fatit në momentin kur e mori vesh se ajo ishte shtatzënë.

Shpresë për të doli të jetë një qendër strehuese në Prishtinë. Kjo vajzë u detyrua që lindjen e saj të parë ta kryejë në strehimore, pasi burri me të cilin kishte mbetur shtatzënë nuk po e pranonte atësinë. Arsye e kësaj ishte se fëmija i tyre kishte sindromin down.

Gruaja ishte detyruar të qëndronte për disa muaj në strehimore, e më pas të largohet nga aty.

Një vajzë nga Mitrovica kishte gjetur strehimin në QMGF’në e Prishtinës. Ajo ishte viktimë e incestit në familje, pasi ishte dhunuar seksualisht nga babai i saj. Pas dy muajsh qëndrim, ajo kishte shkuar në shtëpinë e saj, ndërkaq babai i saj është dënuar me burgim.

Një grua 75-vjeçare ishte dhunuar për 50 vite rresht nga bashkëshorti i saj. Vajzat e viktimës e kishin lajmëruar të atin në polici, ndërkaq Qendra për Punë Sociale e kanë dërguar viktimën në QMGF në Prishtinë. Ajo qëndroi katër muaj në këtë strehimore gjatë vitit të kaluar, më pas vajzat e saj i gjetën zgjidhje për të banuar diku tjetër.

Por, këto nuk janë raste e vetme që kjo strehimore i ka trajtuar. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë strehuar 46 gra dhe 25 fëmijë, të cilët kanë qenë viktima të dhunës në familje.

Drejtoresha e QMGF’së në Prishtinë, Zana Hamiti, ka treguar për Gazetën Express se përveç Prishtinës, kjo qendër ka strehuar gra nga e tërë Kosova.

“Përveç Prishtinës, kemi strehuar gra edhe nga Obiliqi, Fushë Kosova, Drenasi, Podujeva, e Lipjani. Ka raste kur strehojmë gra komunat tjera. Momentalisht e kemi një grua nga Peja. Kjo varet prej shkallës së rrezikshmërisë së viktimave”, ka thënë Hamiti.

Hamiti ka treguar se rregullorja e strehimores e parasheh që gratë të qëndrojnë aty deri në gjashtë muaj, por bën të ditur se në rastet kur nuk mund t’u bëhet zgjidhje ato qëndrojnë edhe më gjatë.

“Kapaciteti i qendrës është 19 shtretër. Këtu gratë gjejnë strehim, akomodim, ushqim, veshmbathje, shërbime shëndetësore, vizita tek gjinekologia, analiza, këshilla psiko-sociale. Aktiviteti edukativo-arsimore, kurse të kompjuterit, punë dore, rrobaqepësi. Kuzhinën e kanë të përbashkët, e përgatisin ushqimin bashkë.  Gratë në mes vete kanë raporte shumë të mira, socializohen me njëra-tjetrën”, ka treguar Hamiti.

Ajo ka bërë të ditur se qendra ka bashkëpunim edhe me gjykatat, ku gratë mund t;i përcjellin seancat gjyqësore të personave të cilët u kanë shkaktuar dhunën. Ndërkaq thekson se deri më tani nuk ka pasur raste kur abuzuesit kanë ardhur tek qendra për të shkaktuar telashe.

Por strehimorja së shpejti do të marrë pamje krejt tjetër. Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se do të fillojë renovimi i tërësishëm i saj.

Renovimi i kësaj qendre do të fillojë gjatë vjeshtës së këtij viti. Hamiti tregon se mjetet financiare janë ndarë, vetëm kanë mbetur procedurat administrative që të fillojë renovimi.

Ajo ka treguar se gjatë kohës së renovimit, ose duhet të gjendet një lokacion tjetër i përkohshëm, apo gratë e strehuara të dërgohen në qendrat tjera në Kosovë.

Ndërkaq lajmin për renovimin e strehimores e ka bërë të ditur edhe Komuna e Prishtinës, duke treguar se kjo qendrë do të transformohet.

“Banorë nga shtatë komuna marrin shërbime nga strehimorja për gra dhe fëmijë në Prishtinë. Por, hapësirat e këtij objekti kanë nevojë për renovim dhe nuk janë në gjendje të mirë. Drejtoria e Mirëqenies Sociale ka ofruar mbështetjen duke hartuar projektin e renovimit dhe transformimit të strehimores, në mënyrë që të i përshtaten shërbimeve që i ofron strehimorja për rastet më të rënda të dhunës në familje”, thuhet në njoftimin e KP’së.

Shpërndaje në rrjete sociale