BSPK-ja ankohet se pseudo luftëtarët po e ngarkojnë buxhetin

08:15 | 11 Nëntor 2018
A Z

Paga minimale në vend, marrëveshja kolektive, skema pensionale, ishin disa nga kërkesat e punëtorëve të cilat, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Hajdini i bisedoi në një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj në muajin e kaluar. Në këtë takim, kryeministri Ramush Haradinaj i kishte premtuar Ajdinit që këto tri kërkesa janë të realizueshme, por ende nuk ka ndonjë rezultat konkret.

Në një intervistë për portalin arbresh.info, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini ka folur për këto kërkesa drejtuar kryeministrit.

Ai ka thënë se së shpejti do të realizohet marrëveshja kolektive.

“Muajin e kaluar patëm takimin me kryeministrin. I pata tri kërkesa më specifike të cilat janë për punëtorët tanë. Ato kërkesa ishin Marrëveshjes kolektive, Paga minimale në vend (250 Euro) dhe Zbritjen e pragut të njohjes së të drejtës në pension të plotë, nga 15-të në 10-të apo në më pak vite ose pensioni të paguhet sipas kontributeve të paguara. Kryeministri më ka dhënë premtim duke më thënë që këto janë të realizueshme. Tani jam duke pritur që me 16 të këtij muaji do të ketë një diskutim për Marrëveshjen Kolektive dhe pastaj muajin tjetër do ta dorëzoj në Qeveri”, ka thënë ai.

Ajdini ka thënë se kryeministri nuk i kishte dhënë ndonjë datë të caktuar se kur do të realizohen këto kërkesa.

“Ai më tha me fjalë decidive se këto i ke të realizuara dhe unë duhet t’i besoj dikujt, dhe ai duhet fjalën ta mbajë. Ne jemi duke biseduar edhe me ministrin e Ministrisë së Mirëqenies dhe Punëve Sociale, dhe kjo çështje është diku para mbarim. Deri në fund të këtij viti besoj që do të përfundohet marrëveshja kolektive, ndonëse skema e pensioneve jo, por marrëveshja po”, ka shtuar ai.

I pyetur rreth pagës minimale, se a do të ketë zbatim këtë vit, ai ka thënë se është skeptik sa i përket kësaj kërkese.

“Ende nuk kam marrë ndonjë përgjigje për zbatimin e pagës minimale por, kryeministri më ka thënë se kjo është e realizueshme. Nuk zbatohet derisa Qeveria ta marrë një vendim që ta ndaj shapin nga sheqeri, t’i ndajë punëtorët nga luftëtarët, sepse buxhetin e kanë ngarkuar pseudo luftëtarët. Më tepër është një situatë politike sesa ekonomike pasi që, sa i përket çështjes ekonomike kjo është e zbatuar. Këshilli ekonomik social vitin e kaluar e ka aprovuar këtë kërkesë dhe kanë qenë unanimisht që paga minimale duhet të jetë 250 euro, por është një çështje që çdo vit duhet të rishikohet paga minimale. Shembull, edhe këtë vit në muajin e 12 duhet të dalin propozime për ngritjen e pagës minimale, kurse nga viti i kaluar ende nuk e kemi të realizuar. Për pagën minimale jam skeptik që do të realizohet brenda këtij viti, por për marrëveshjen kolektive e di që po”, shtoi ai./V.Berisha/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale