Bie vlera e Telekomit, kundërshtohet privatizimi në këtë kohë

08:55 | 26 Janar 2019 | Valdete Berisha

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për autorizimin e Komisionit Qeveritar për privatizimin e ndërmarrjes publike “Telekomi i Kosovës”.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Osmani në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se Qeveria është dashur më herët ta bëjë një vlerësim të saktë për çmimin e tregut për Telekomin.

Ka pasur edhe tendenca të mëhershme për privatizim, kanë dështuar për çështje të ditura. Konsideroj që Qeveria është dashur ta bëjë një vlerësim të saktë të asetit shtetëror siç është Telekomi, dhe një vlerësim të tregut ndërkombëtar që ka të bëjë me çmimin e tregut. Kam frikë që mund të dështoj Qeveria sepse gjatë shitjes mund të zhvlerësohet vlera reale e Telekomit, sepse Telekomi sot nuk është shumë rentabil e as profitabil dhe kushtet e shitjes nuk janë shumë të përshtatshme në këtë moment. Për një shitje të mirë Telekomi duhet të shitet në kohën më të mirë të saj, jo në kohën depresive që ta dërgojmë në humbje sepse kontratat më pastaj lidhen me pasojat të mëdha dhe konsideroj që vetëm humbim. Do ta shohim tani se çfarë strategjie të shitjes do ta përdor Qeveria, dhe besoj që ajo do të vihet për një konfirmim në Kuvend, dhe do të shohim a është shitje rentabile, a është e domosdoshme apo duhet pritur në momente më të mira”, ka thënë ai.

Sipas Osmanit Telekomi është bërë sikurse ent për punësim.

“Telekomi është bastarduar shumë nga institucionet, nga partitë, nga individët, që është bërë një ent për punësim, dhe nuk ka gjasa me këto politika të ndërmarrjeve publike të ketë një rehabilitim apo përmirësim që fillimisht të ndikoj në zhvillimin ekonomik. Konsideroj që të gjitha këto duhet t’i ketë parasysh Qeveria”, ka theksuar ai duke treguar edhe qëndrimin e LDK-së për privatizimin.

LDK e ka shprehur qëndrimin e saj për domosdoshmërinë e kësaj ndërmarrje publike, por në kushte dhe rrethana më të mira dhe me çmime të mira. Tani ta shohim se cili do të jetë çmimi i mirë, deri sa të bëhet një vlerësim paraprak i gjendjes së asetit, dhe vlerësimi i çmimeve në tregun ndërkombëtar,. Po ashtu është shumë me rëndësi se kush do të jetë blerësi sepse në Telekom përveç çmimit ekonomik ka të bëjë edhe me sigurinë shtetërore për shkak të ndjeshmërisë sepse është ndërmarrje publike që ka të bëjë me përgjime, me gjana të ndryshme, prandaj nuk mund çdo kush të hyj në treg sado që të ketë pare, duhet ta ketë një siguri Qeveria që ata që e blejnë duhet ta kenë përgjegjësi dhe integritet në këtë drejtim”, tha ai.

Arton Demhasaj nga organizata ‘Çohu’ në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se nuk është koha e duhur për privatizimin e PDK-së, pasi që sipas tij vlera e Telekomit është e ulët.

Duke marr parasysh se në çfarë situate është duke kaluar vala apo posta, ose për shkak të mungesës buxhetore, që nuk kanë buxhet as pagat e punëtorëve me i pagu, në një moment të tillë vlera çfarë e ka posta sot, mund të rrezikohet që me u privatizu me një çmim tejet të ulët për mos të thënë një çmim simbolik. Madje është rrezik me u mundu me privatizu me një procedurë PTK-në, për shkak të momentit që po kalon. Fillimisht mendoj që kjo kfillet si kompani, të krijojë një qëndrueshmëri vetë-financiare që të rritet vlera e aksioneve të saj e pastaj të përgatitet për privatizim”, ka thënë ai.

Analisti i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri ka thënë se Telekomi i Kosovës nuk duhet të privatizohet.

Ai në një përgjigje për portalin arbresh.info tha se është një aset i vyer për Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës.

Një kompani që dikur ka qenë krenaria e shqiptarëve, e sjelle buzë falimentimit nga ndërhyrjet politike të partive politike, duke e mbush me militant të ndryshëm, dhe duke orientuar të gjitha parat drejt militantëve të partive politike, pra fillimisht do të duhej të hetoheshin ata që e sollën këtë ndërmarrje buzë falimentimit, pastaj të ndërmerret ndonjë hap i cili është propozuar nga ministri Lluka”, ka thënë ai.

Sipas tij Telekomi duhet të riorganizohet , dhe qytetarët do ta kundërshtojnë privatizimin.

Telekomit i duhet një riorganizim total, shkarkimin e të gjithë personave në pozita udhëheqëse, riorganizim në pozita dhe emërimin e njerëzve kredibil, dhe profesional për të kthyer reputacionin kësaj kompanie. Vlerësoj se qëllimi që Telekomi ka ardhur në pozitën buzë falimentimit, që të shitet duke përfituar dikush nga dikasteret e Ministrisë apo edhe Qeverisë, thjesht këtu do të duhej të kishte një kundërshtim nga ana e qytetarëve siç kishte ne kohën kur LDK-ja dëshironte të privatizohej Telekomi”, ka thënë ai.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në mbledhjen e Qeverisë pati theksuar se janë disa kompani të interesuara për Telekomin. Po ashtu ai përmendi që  BERZH-i ka ofruar gatishmërinë për të ofruar një kredi deri në 25 milionë euro për të ndihmuar përgatitjen e Telekomit për privatizim.

4 kompani nga vende të ndryshme të BE dhe SHBA, kanë shprehur interes për marrjen e pjesshme ose të tërsishme në pronësi të ndërmarrjes Telekomi i Kosovës. BERZH më është përgjigjur pozitivisht, në të cilën shprehet gatishmëria e tyre për të: ofruar asistencë teknike në fazën e ristrukturimit, ofrimin e një kredie deri në 25 milion euro si dhe hartimin e një dokumenti mbi hapat që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës për privatizimin e kësaj ndërmarrje, i cili ndër të tjera bazohet në principet si në vijim: vlerësimin e drejtë të secilës ofertë për privatizim të Telekomit, përkushtim dhe transparencë në këtë proces, inkurajim të konkurrencës si dhe rishikim të proceseve dhe strukturave brenda Telekomit të Kosovës”, ka theksuar ai.

Kundër privatizimit të Telekomit është shprehur Lëvizja Vetëvendosje.

Në një reagim të tyre ata thonë se kryeministri është përkulur para krimit të organizuar që ka mbërthyer Telekomin.

Aktualisht është në fuqi rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku qeverisë dhe kryeministrit i kërkohet të veprojë për të kundërtën. Pra për zhbërjen e kontratës kriminale me Z-Mobile dhe përfshirjen e profesionistëve në rimëkëmbjen nga kriza e qëllimshme ku e kanë futur Telekomin. Në vend se të zbatonte pikë për pikë këtë rezolutë siç e kërkon ligji dhe Kushtetuta, Kryeministri Haradinaj u përkul para krimit të organizuar që ka mbërthyer Telekomin, ndërmarrjen publike me aksionar 100% qeverinë e Kosovës, sektorin strategjik dhe fitimprurës”, thuhet në reagim.

Një përpjekje për privatizmin e Telekomit dështoi para 4 viteve, pas denoncimit të pazareve me kompaninë Axos Gmh./V.Berisha/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara