Bërnabiq: Platforma e Prishtinës në kundërshtim me mendjen e shëndosh

13:17 | 8 Mars 2019
A Z

Platforma për dialog e Prishtinës, pa kurrfarë dyshimi, “është goditja e tretë dhe përfundimtare ndaj dialogut, ky është dokumenti kundër çfarëdo kompromisi dhe dialogu, në kundërshtim me mendjen e shëndosh, ndërsa reagimi i Serbisë do të jetë i matur dhe në interes të qytetarëve tanë”, ka deklaruar kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq.

Ajo pas seancës së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë ka thënë se, “me shmangien e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe futje të taksave ndaj prodhimeve serbe, miratimi i platformës është goditje e tretë dhe përfundimtare ndaj dialogut”.

Bërnabiq ka paralajmëruar se udhëheqja më e ngushtë shtetërore këtë situatë të re, pas miratimit të platformës së Prishtinës do ta shqyrtojë me patriarkun Irinej dhe Sinodin e KOS.

Serbia, siç ka theksuar Bërnabiq, “do të reagojë në mënyrë të matur dhe do të dijë t’i mbrojë interesat e saja shtetërore dhe interesat e qytetarëve të saj”.

Siç lajmëron media serbe N1, kryeministrja Bërnabiq nuk është përgjigjur në pyetje të gazetarëve por ka thënë se më shumë informata për qytetarë do të jep presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Mitrovicë të Sremit.

Në seancën e Këshilli për Siguri Kombëtare të Serbisë kanë marrë pjesë ministri i mbrojtjes Aleksandar Vullin, ministri i brendshëm Nebojsha Stefanoviq, ministrja e drejtësisë Nella Kuburoviq, shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë Millan Nojsilloviq si dhe drejtori i Agjencisë së Sigurisë dhe Informative (BIA) Brantisllav Gashiq./Insajderi.com.

Shpërndaje në rrjete sociale