​Pezullohen gërmimet në Mitrovicë

16:59 | 28 Korrik 2015
M. A.

Gërmimet që nisën sot në një bunar në jug të Mitrovicës, ku po dyshohet për një varrezë masive, janë ndërprerë për shkak së njërit nga punëtorët që punonte aty ka pasur probleme me frymëmarrjes.

Kjo ka ndodhur pasi që punëtorët nuk janë të pajisur me mjete për mbrojtje nga monoksidi i karbonit, ndërkohë që bunari ku po gërmonin është shumë i thellë.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu tha për KosovaPress se po e shqyrtojnë mënyrën se si do t’i qasen tani e tutje këtij lokacioni. Ai tha se për këtë nevojitet ndihma e FSK-së.

Me të parë përkeqësimin e gjendjes së punëtorit, ai është nxjerrë nga bunari dhe tani është në gjendje të mirë shëndetësore.

Kjo nuk është hera e parë që ekipet e Departamentit të Mjekësisë Ligjore përballen me vështirësi në terren.

Vështirësi në terren për procesin e të zhdukurve ka pasur herë pas here.

Madje, ekipet e DML-së për herë të parë, pas 16 vitesh, u pajisën me rroba, të cilat iu duhen në terren. Gjatë punës ata përballeshin me mungesë të kamerave e elementeve tjera që nevojiteshin për të përpiluar raportin e dëshmive të krimit.

Shumë herë, drejtori i këtij Departamenti i bëri të ditura mungesat me të cilat përballen, e që sipas tij nënkuptonin një mos respekt për këtë Departament. Por, si duket problemet ne terren edhe më tutje do të vazhdojnë.

Mungesa me pajisje kanë pasur edhe sot gjë që rrezikoi edhe jetën e njërit punëtor që ishte duke gërmuar në bunar.

Shpërndaje në rrjete sociale