Ekipi i Gjakovës e ka fituar edicionin e shtatë me radhë të turneut “Kupa e Qyteteve” në futsall, që organizohet tradicionalisht nga Federata e Futbollit e Kosovës, gjegjësisht Komisioni për Futsall, në nderim të heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.
Pas ndeshjeve gjysmëfinale, të cilat u zhvilluan ditë më parë në Junik dhe Podujevë, sonte, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në praninë e qindra shikuesve u zhvillua ndeshja finale ndërmjet Gjakovës dhe Skenderajt.
Pas një loje tejet interesante dhe me aksione atraktive, në fund fitores iu gëzua ekipi i Gjakovës, me rezultat 5:4.
Golat për gjakovarët i shënuan Arbër Dobroshi (3’), Ramadan Alaj (21’, 34’), Nexhip Selimi (23’) dhe Halim Selmanaj (27’), derisa për drenicasit golat i shënuan Florim Thaqi (8’), Erkan Seferi (14’), Blend Balaj (32’) dhe Fatmir Balaj (36’). Para ndeshjes futbollistët e Skenderajt bartën fanella me mbishkrimin ‘Forca Adnan’ në mbështetje të Adnan Hysenit, trajner i Besës, i cili vuan nga sëmundja dhe po shërohet jashtë vendit.
Në fund juria e turneut shpalli më të mirët: Lojtari më i mirë i turneut u shpall Halim Selmanaj, të cilit kupën ia dorëzoi përzgjedhësi i Kosovës në futsall, Ramadan Cimili. Portieri më i mirë u shpall Alfred Prençi, derisa trofeun ia dorëzoi Afrim Nebiu. Ndërkaq, trofeu i golashënuesit më të mirë i takoi Arbër Dobroshi, të cilën ia dorëzoi Agim Avdyli.
Medaljet për ekipet finaliste i ndanë kryetari i Komisionit të Futsallit, Rasim Gimolli dhe familjarët e heronjve Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha, derisa kupën për vendin e dytë kapitenit të Skenderajt, Florim Thaçi ia dorëzoi Floretë Zejnullahu, mbesa e heroit Hakif Zejnullahut, derisa kupën e vendit të parë kapitenit të Gjakovës, Nexhip Selimi ia dorëzoi Bajram Pajaziti, i vëllai i heroit, Zahir Pajaziti.
Me medalje të këtij turneu u nderuan edhe delegati i ndeshjes, Hysni Gjinovci dhe gjyqtarët e ndeshjes finale Besar Beqiri e Besart Ismajli.
Ndërkohë, para ndeshjes finale u zhvillua ndeshja e veteranëve ndërmjet Llapit dhe Dukagjinit, të cilën e fituan veteranët e Llapit, me rezultat 4:2.
Vrasja në Gjakovë, nga Prokuroria japin detaje
“Jemi krenarë”, Osmani uron Luana Bajramin për çmimin Oscar
Pamje nga lokali ku ndodhi vrasja në Gjakovë, shihen vrimat ...
Mbi 100 milionë njerëz në SHBA nën paralajmërime për stuhi t...
Rikthehen Mbappe e Bellingham, Real Madridi publikon listën ...
MBPZHR organizon punëtori për politikat mbështetëse në bujqë...