Haradinaj në pritjen e fundvitit: Të bashkuar, Kosovën e bëjmë storie suksesi

19:12 | 20 Dhjetor 2017
M. A.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ditën e sotme e ka përmbyllur me një pritje për fundvit.

Ftesës së Haradinajt iu kanë përgjigjur presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministrat e tij, zëvendësministra, zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit, ambasadorë të vendeve evropiane dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, etj.

Në pritjen e Haradinajt nuk mungoi as kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, gjë që është e rrallë që zyrtarë të VV-së të shihen në këto ceremoni sidomos kur janë të organizuar nga Qeveria.

Haradinaj kishte dal vet në derë për t’i pritur mysafirët i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij Anita.

Duke uruar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në tri gjuhë, shqip, serbisht dhe anglisht kryeministri i vendit tha se përpara vendit ka shumë sfida por vetëm të bashkuar mund të jenë një storie suksesi si në planin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar, transmeton kp.

“Kemi sfida edhe trashëguese, por edhe sfida që do të na vijnë por duke qenë bashkë siç jemi sonte Kosova do të jetë storie e suksesit planin e brendshëm dhe rajonal dhe ndërkombëtar. Edhe unë po e theksoj kontratën e nënshkrimit me Countur Global me mbi një miliardë euro ky është lajm i mirë për investitorët e huaj se Kosova është vend i mirë për të investuar”, tha Haradinaj.

Në këtë pritje ka marr pjesë edhe presidenti Hashim Thaci i cili duke mbajtur një fjalim para të pranishmëve këtë vit e ka quajtur vit të suksesit për Kosovën.

Si pikë kulminante të suksesit Thaçi e ka përmendur nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re e që sipas tij dita e sotme është historike.

Shpërndaje në rrjete sociale