Kosovën ende e presin sfida sa i përket anëtarësimit në Këshill të Evropës.Të drejtat e njeriut respektohen por jo në standardin e vendeve evropiane, të cilat janë anëtare të KE-së.
Kështu vlerësojnë në Institucionin e Avokatit të Popullit dhe Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, shkruan arbresh.info.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari thotë për arbresh.info se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është një sfidë në vete.
“Ne segmentin e të drejtave të njeriut kemi ende sfidë. Sa i përket Këshillit të Evropës, Kosova ende nuk është pjesë e këtij mekanizmi, nuk është pjesë gjithashtu edhe e sistemit të drejtësisë i cili realisht përfshin Gjykatat e Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mirëpo kjo rrjedhë si pasojë e ratifikimit në rend të parë të konventës dhe të qenit anëtarë i Këshillit të Evropës dhe për ne ka qenë hendikep definitivisht, sepse qytetarët e vendi të Kosovës përjashtim prej vendeve të tjera të Ballkanit, kanë qenë në vijën e zezë gjatë gjithë kohës së këtij procesi, sepse nuk ka pas mundësi për me ju qas Gjykatës Evropiane sepse ndoshta është organi më i sofistikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare sa i përket të drejtave të njeriut dhe ajo afekton definitivisht të drejtat”, ka thënë ai.
Jashari ka thënë se duhet përkrahje e Kuvendit dhe përfaqësuesve të popullit në mënyrë që të zbatohen rekomandimet që kërkohen për anëtarësim në KE.
“Ne si institucion i Avokatit të Popullit e kemi këtë mandat mirëpo neve gjithashtu na duhet përkrahje më e madhe edhe Kuvendit, përfaqësuesve të popullit. Në vitin e kaluar i kemi kërkuar kryeministrit të vendit me nxjerrë një vendim me kriju një grup ndërministror dhe ajo ka ndodh fatmirësisht dhe po shpresojmë me Qeverinë e re takimet e para me i realizu që të ketë një monitorim të vazhdueshëm sa i përket zbatimit të rekomandimeve sepse jemi institucioni kyç, institucion kushtetues që merremi me këtë punë”, ka thënë Jashari.
Ndërsa Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka thënë për arbresh.info se Kosova si një vend në tranzicion që përballet me shumë probleme si ekonomike e sociale nuk mund t’i zbatoj të drejtat e njeriut sipas standardeve evropiane.
“Realisht Kosova si një vend në tranzicion me një ekonomi të dobët, me situatë të sigurisë të ndjeshme, me një politikë të paqëndrueshme e ka shumë problem t’i zbatoj të drejtat e njeriut sipas standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, mirëpo për Kosovën vlejnë ato standarde minimale të respektimit të drejtave të njeriut dhe Kosova i plotëson ato standarde por për një shtet i cili nuk mund të siguroj qetësi për qytetarët e vet, një vend pune, shëndetësi cilësore, arsim cilësor dhe shërbime të tjera, atëherë është problem që të mburret me respektimin e të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.
Shala thotë se Kosova ka një legjislacion të mirë për të drejtat e njeriut, por sipas tij është një rrugë e gjatë për anëtarësim.
Ai thotë se Bashkimi Evropian është ai që po shkel të drejtat e qytetarëve të vendit duke i cenuar të drejtën e lëvizjes qytetarëve të Kosovës.
“Kosova nuk ka mundësi t’i përbush ato standarde të cilat po i kërkon BE pasi është vet ajo që e shkel një të drejtë të madhe ndaj qytetarëve të Kosovës, të drejtën e lirisë së hyrjes”, u shpreh ai.
Ai thotë se Kosova nuk dallon nga vendet e rajonit, por që sipas tij, kjo nuk mjafton që të barazohemi me vendet e Bashkimit Evropian.
“Kosova nuk dallon shumë nga vendet e rajonit, në qoftë se merret parasysh parametrat apo standardet për të drejtat e njeriut, Kosova nuk qëndron me keq as se Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria. Mirëpo këto nuk mjaftojnë që të jemi korrekt apo të jemi të barabartë me shtetet e BE-së të cilat kanë një traditë shumë më të gjatë, kanë një legjislacion të fuqishëm i cili zbatohet, kanë prosperitet ekonomik që Kosova nuk mund ta arrijë ndoshta për 500 vjet”, shtoi, Shala.
Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka thënë se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës kërkon shumë reforma sidomos në fushën e ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Sipas tij, kjo nuk është vetëm çështje e votimit nga shtetet anëtare.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte e rëndësishme dhe e dobishme për Kosovën. Por procesi i anëtarësimit është shumë teknik dhe kërkon shumë reforma, sidomos në fushat e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Nuk është vetëm çështje e votimit”, ka thënë O’Connell.
/R.Rexhepi/arbresh.info/
Haradinaj: Ardian Gjini do jetë kandidat për kryeministër në...
Gjyqtari serb Laban kërkoi të përjashtohet nga vendimmarrja ...
Pas masës së përkohshme, VV pret nga Kushtetuesja ta anulojë...
Prishtina tërhiqet nga ENBL, shkak telashet financiare
Kurti në kërkesën dërguar Kushtetueses: Presidentja i takoi ...
Komandanti i KFOR-it pret në takim zyrtaren e NATO-s, diskut...