Ligjvënësi amerikan Eliot Engel e dënoi ashpër qëndrimin e autoriteteve serbe që nuk i lejuan hyrjen në Serbi, ish-presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga. Jahjaga duhet të merrte pjesë në një festival me emrin “Mirëdita. Dobardan”, i cili si për ironi, synon pikërisht nxitjen e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.
Ish-kryetarja e shtetit kosovar do të fliste në Beograd mbi një libër me dëshmi të grave të nënshtruara torturave dhe përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë. I indinjuar, Engel i shkroi shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke theksuar se mungesa e vullnetit të Beogradit për t’u përballur me krimet e së kaluarës, është arsye për të ngadalësuar procesin e anëtarësimit të saj në BE.
Për këtë vend ballkanik, shmangia e diskutimit dhe pranimit të përgjegjësisë për krimet e luftës, paraqet një problem tejet serioz thotë Engel. Nëse ai nuk zgjidhet, mund të përballemi me një përsëritje të sjelljeve të së shkuarës. Sinqerisht, Beogradi thjesht nuk është i gatshëm të bashkohet me komunitetin e demokracive të BE-së nëse nuk e pranon plotësisht të kaluarën dhe nëse nuk merr përgjegjësinë për krimet e luftës”, shkroi ligjvënësi amerikan, i cili përcjell njëkohësisht në letrën e tij respektin e thellë për punën e BE-së në nxitjen e dialogut, mirëkuptimin dhe normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Por veprimi i qeverisë serbe e ka shqetësuar shumë, sepse kjo siç sqaron Engel, nxjerr në pah ngërçin akoma më të madh të shmangies së diskutimeve dhe të pranimit të fakteve mbi luftën e Kosovës. Kaq i mjafton Engel-it për t’i kërkuar bllokut evropian që në këtë pikë, të shqyrtohet seriozisht pezullimi i procesit të anëtarësimit të Serbisë./Arbresh.info/
Nis takimi i Osmanit me liderët e partive politike për datën...
Haradinaj arrin në Presidencë për takim me Osmanin
VV s’i shkon në takim Vjosa Osmanit
Udhëheqësit fetarë rrethojnë Trumpin dhe luten për të, pamje...
Izraeli sulmon bunkerin nëntokësor të liderit të Iranit
Nagavci: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për shpërnda...