Ministria e Drejtësisë ka bërë sot promovimin e botimeve të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.
Zëvendësministri i drejtësisë Munir Basha tha me këtë rast se këto libra, përmes fotografive e tekstit tregojnë krimet e bëra ndaj burrave e grave gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan arbresh.info.
“Zbardhja e krimeve të kryera në Kosovë është parakusht për pajtimin. Ministria e Drejtësisë do të shqyrtoj të gjithë mekanizmat ligjor dhe penal për të arritur deri te dënimi i atyre që janë fajtor për krime të luftës dhe kompensimin e dëmit”, ka thënë Basha.
Ismet Salihu, drejtor në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës tha se këto libra dhe ato që do të botohen në të ardhmen kanë rëndësi të madhe për gjeneratat e ardhshme.
“Gjeneratave të ardhshme do i bëhet e ditur se çfarë sakrifice është bërë që të arrihet te liria që e kemi sot. Këto tri libra janë shkruar në gjuhën shqipe dhe angleze, në mënyrë që edhe opinioni ndërkombëtar të njoftohet për to”, u shpreh Salihu.
AI foli edhe për sfidat e këtij Instituti.
“Ne nuk jemi të kënaqur me punën e Institutit, sepse duhet të hulumtohen edhe me mijëra e mijëra krime të tjera të kryera nga gjenocidi serb”, tha Salihu.
Ai kërkoj rritjen e numrit te hulumtuesve në këtë Institut, pasi sipas tij ndryshe shumë krime do të mbesin pa zbardhur.
Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi tha se është e rëndësishme që të bëhet edhe më tepër në zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë.
“Është një detyrë tepër e rëndësishme që ka ky Institut, që të zbardh këto krime. Është detyra për të zbuluar se sa i madh ka qenë ky shkatërrim, në mënyrë që edhe ndërkombëtarët të shohin me dokumente se çfarë ka ndodhur këtu. Ju nxis që kjo luftë dhe përpjekje të vazhdoj edhe në të ardhmen në mënyrë që krimet e bëra në Kosovë të dalin në dritë”, u shpreh Minxhozi./Arbresh.info.



Sekretari i PDK-së në Malishevë: Fatmir Limaj duhet të rikth...
Bedri Hamza: PDK është gati për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Vizitë në terren/ Kurti dhe Çeku inspektojnë projektet kapit...
Zelensky: Sulme të reja ruse në infrastrukturën civile
Vrasja e biznesmenit në Elbasan, Gjykata lë në burg të arres...
Policia e Shtetit sekuestron qindra fishekzjarrë në Tiranë