AAK kërkon shkarkimin e Hysenit dhe Maxhunit

16:22 | 11 Qershor 2015
M. A.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani ka thënë se rasti i inskenimit që ka bërë pushteti kundër Muhamet Kelmendit, është një prej rasteve më të rënda që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës.

Sipas Ramadanit, me këtë, Qeveria e Kosovës i ka kthyer dje tytat e armëve ndaj opozitës.

Madje, sipas tij, kjo ka ndodhur me banalitetin më të rëndë që ka ndodhur deri më tash në Kosovë, gjoja për “terrorizëm”!

“Pa kurrfarë shkasi, pa kurrfarë të drejte, pa kurrfarë logjike demokratike”, ka vlerësuar Ramadani.

Ai ka theksuar se kjo Qeveri ka humbur të gjitha argumentet zhvillimore dhe integruese kah BE-ja dhe mekanizmat tjerë demokratik ndërkombëtar, ndërsa këtë po e zëvendëson me një tendencë të qartë të krijimit të ashtuquajturve “armiq të brendshëm”.

“Ne jemi opozitë e këtij pushteti, por nuk do ta lejojmë që përmes inskenimeve të tilla ta tërheqin vëmendjen nga skandalet e përditshme të kësaj Qeverie. Kot e ka kjo Qeveri! Me gjithë inskenimet e tyre nuk do të mund të portretizojnë opozitën si po kanë dëshirë”, ka shtuar më tej Ramadani.

Sipas sekretarit të Përgjithshëm, Aleanca është thellësisht e indinjuar me këtë logjikë terrori politik që po ushtron Qeveria e Kosovës.

“Paramendojeni, Policët i kanë vendosur armën në gjoks një Profesor Doktori të Shkencave Juridike”, ka thënë ai.

Në këtë kontekst, Ramadani ka shtuar se për të dalë nga kjo situatë tejet e dëmshme, Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të bëjë këto veprime: Të shkarkojë menjëherë Ministrin e Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni; Të shkarkojë menjëherë Drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni; Të kthehet kah demokracia dhe të heq dorë njëherë e përgjithmonë nga ndjekjet politike dhe terrori ndaj opozitës; si dhe të kërkojë falje ndaj AAK-së dhe Muhamet Kelmendit.

“Raste të tilla nuk mund të shihni më as në vendet autoritare. E në Kosovë, fatkeqësisht, po shtohen për çdo ditë e më shumë”, ka përfunduar Burim Ramadani.

Shpërndaje në rrjete sociale