Moisiu viziton Kumanovën: Do të angazhohem për të mirën tuaj

18:16 | 27 Maj 2015
M. A.

Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu vizitoi këtë të mërkurë “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.

Moisiu takoi shqiptarët e prekur nga përplasja me armë në mes të grupit shqiptarë dhe policisë maqedonase, ku si pasojë mbetën 22 persona të vrarë, dhjetëra të tjerë të plagosur dhe dëme të mëdha materiale, shkruan tch.

Ish-Presidenti ka dëgjuar rrëfimet e banorëve dhe ka premtuar se do angazhohet për të mirën e shqiptarëve të Kumanovës. Vizita është mirëpritur nga banorët dhe është përjetuar si një ngushëllim për tragjedinë që pësuan.

Moisiu është politikani i dytë nga Shqipëria që viziton “Lagjen e Trimave”, duke iu bashkangjitur deputetit socialist, Ben Blushi.

16 banesa janë rrënuar plotësisht dhe 80 të tjera kanë pësuar dëmtime të shkallëve të ndryshme gjatë përplasjeve më armë, të ndodhura më shumë se 2 javë më parë. Për këtë, kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski premtoi dëmshpërblim të plotë përmes një vendimit të Qeverisë që pritet të kalojë së shpejti.

Shpërndaje në rrjete sociale