Organizata Botërore e Shëndetësisë prej kohësh ka paralajmëruar se problemet në shëndetësinë e Kosovës shtrihen në veçanti në, siç thuhet, menaxhimin e dobët të institucioneve shëndetësore.
Kjo organizatë thotë se problemet e menaxhimit janë bartur vit pas viti dhe sipas saj, Qendra Klinike Universitare nuk ka arritur të ndërtohet në një ‘institucion të besueshëm dhe plotë profesional’.
Ekspertët e fushës thonë se problemi kryesor me menaxhimin sillet kryesisht për shkak të emërimeve në pozita udhëheqëse të njerëzve nga politika. Vetë Ministri Shëndetësisë, Imet Rrahmani, pak kohë më parë i pati deklaruar Evropës së Lirë, se “shëndetësia megjithatë është e ndikuar nga politika”.
Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë për Radion Evropa e Lirë thotë se “përcaktimi i shumicës së menaxherëve mbi baza politike dhe jo profesionale, sjell mangësi në sistemin shëndetësor”.
“Nëse kësaj ia shtojmë se prej pas luftës njerëzit e shkolluar për menaxhment shëndetësor, nuk kanë ardhur në shprehje për emërim në pozita që i meritojnë, ky është një fakt i mjaftueshëm që sistemi shëndetësor të keqmenaxhohet dhe si pasojë e kësaj kemi një situatë çfarë e kemi”, ka thënë Syla.
Gjendjen në shëndetësinë e Kosovës, thonë ekspertët e fushës, e ka rënduar edhe financimi i dobët. Për këtë sektor, për vitin 2017 është paraparë që buxheti të jetë 180 milionë euro.
Një anëtar i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Shemsi Veseli, i tha Radion Evropa e Lirë se postet kyçe që udhëheqin me institucionet shëndetësore nuk janë politike. Sipas tij gjendja në shëndetësinë e Kosovës është rëndë për arsye buxhetore dhe nga fakti se Qeveria nuk e ka futur në përparësi këtë sektor.
“Nuk është e qëndrueshme se postet e udhëheqësve të klinikave janë politike, nga fakti se as bordi nuk ka qenë i zgjedhur nga aspekti politik… Nuk është çështja e menaxhimit që shëndetësia është në nivel të dobët. Duhet ketë një buxhet më meritor dhe një vullnet më të madh nga ana e Qeverisë në raport me shëndetësinë”, ka thënë Veseli.
Njohës të fushës së shëndetësisë thonë se politika megjithatë e ka penguar sistemin e shëndetësisë në Kosovë. Njëri nga ta, dr. Sami Rexhepi, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se politika nuk i ka lejuar profesionistët shëndetësorë të udhëheqin pozitat e merituara, për faktin se ata janë zgjedhur prej partive të tyre politike.
‘’Shëndetësia është e keq menaxhuar. Ajo na ka përcjell prej vitit 1999 e deri tash. Më vonë ka filluar përfshirja e politikës në shëndetësi, përzgjedhja e jo profesionistëve më të mirë që i ka shëndetësia. Menaxhimi është bërë jo duke u vlerësuar në bazë të nevojave që ka popullata por në bazë të fushatave të ndryshme. Menaxhimi ka qenë katastrofal duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë e deri tek institucionet tjera shëndetësore më të vogla”, tha Rexhepi.
Sido që të jetë, në raportet e organizatave ndërkombëtare për shëndetësinë e Kosovës, që janë bartur që prej para shpalljes së pavarësisë, thuhet se përveç keqmenaxhimit, shëndetësia e Kosovës karakterizohet edhe nga investimet e pamjaftueshme, mungesë të infrastrukturës dhe njëkohësisht edhe mungesë të buxhetit.
Sulme dhe kundërsulme: Irani dhe ShBA shkëmbejnë goditje në ...
E shtunë me diell dhe vranësira
Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në 18 shte...
Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për s...
Riquelme synon ta sjellë Kloppin te Real Madridi
Krizë humanitare në Liban, OKB ngre alarmin për 1.4 milionë ...