Ka mjaftuar një kërkesë e Zyrës së BE-së në Kosovë që dy partitë më të mëdha politike në vend t’i japin fund avazit të mosraportimit të financave të tyre.
“Koha Ditore” ka siguruar një komunikim të brendshëm të KQZ-së, për një takim që ka ndodhur mes zyrtarëve të saj dhe atyre të BE-së. Takimi kishte ndodhur më 11 janar. Pas tij, Miradije Mavriqi, kryetare e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike në KQZ u shkruan anëtarëve të këtij institucioni.
“Të nderuar, Ju njoftoj se me datë 11.01.2017 me përfaqësuesin e BE-së, Zyra në Kosovë, z. Felix Rathje, u mbajt një takim lidhur me temën: Transparenca e raporteve të shpenzimeve vjetore dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore të subjekteve politike që dorëzohen në KQZ. Lidhur me këtë u identifikuan dhe u propozuan dy opsione të mundshme për publikimin e raporteve vjetore dhe raporteve të shpenzimeve të fushatës zgjedhore, dhe atë: a) të njoftohen SP-të të cilave u jepet një afat i shkurtë për t’i publikuar ato vet raportet e shpenzimeve; b) t’i publikojë vet KQZ-ja”, thuhet në fillim të njoftimit që Mavriqi e bën për anëtarët e KQZ-së.
Tutje, aty thuhet se “z. Rathje edhe pse e kishte parasysh nenin 19.10 të Ligjit për financimin e subjekteve politike, sipas të cilit, Raportet vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës të cilat dorëzohen nga subjektet politike në KQZ, do të auditohen në përputhje me standardet e kontabilitetit të zbatueshëm në Kosovë, nga auditorë të cilat do t’i përzgjedhë Kuvendi i Republikës së Kosovës përmes Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike nëpërmjet një thirrje te hapur publike për aplikim”.
“Në këtë takim, z. Rathje tha se nuk bëhet ndonjë shkelje e ligjit nëse publikohen raportet nga KQZ-ja por rekomandon që t’i publikojë të gjitha raportet e dorëzuara të subjekteve politike që nga viti 2013 edhe pse ato nuk janë të audituara nga auditorë. Sipas nenit 19.7 citoj: ‘KQZ-ja duhet t’i publikojë dhe t’i mbajë të publikuar të gjitha raportet vjetore financiare të subjekteve politike së bashku me raportin përfundimtar të auditimit të subjekteve politike në faqen e saj zyrtare më së largu deri më 30 qershor të vitit pasues”, thuhet në këtë komunikim, përcjell Koha.net. “Po ashtu, deri me këtë datë KQZ-ja obligohet t’i përcjellë subjektit politik raportin përfundimtar të auditivit”.
BE-ja, përmes Rathjes, madje është shprehur e gatshme që ta ndihmojë KQZ-në në këtë proces. Siç transmeton Mavriqi nga takimi që ka pasur “z. Rathje tha se BE-ja është e gatshme me ndihmua dhe me mbështet KQZ-në këtë aspekt, meqenëse sipas nenit 15.5 të ligjit të lartcekur, subjektet politike duhet ta publikojnë dhe të mbajnë të publikuar së paku një vit në faqet e tyre zyrtare raportin e shpenzimeve vjetore dhe atë të fushatës zgjedhore”.
Duke e kryer “amanetin”, Mavriqi tregon se kishte siguruar z. Rathje se do ta njoftonte kryetaren dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me këto rekomandime, me dy opsionet që u propozuan.
“Andaj duke pasur parasysh gatishmërinë e mbështetjes së BE-së lidhur me publikimet e raporteve në ueb faqen e KQZ-së apo edhe e dhënies së një afati subjekteve politike, dhe duke pasur parasysh se kjo është e natyrës urgjente, pasi që takimi i Nën-komitetit për Drejtësi Liri dhe Siguri në kuadër Procesit të Stabilizim Asociimit, do të mbahet më 25-26 Janar 2017, ju lutemi nëse keni sugjerime na i dërgoni në mënyrë që të bëhet përmbledhja e tyre për takimin e radhës së KQZ-së”, thuhet në fund të kësaj letre.
Kujtojmë se kreu i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, më 25 janar kishte pasur takim me shefat e misioneve diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në Kosovë, si dhe drejtuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Pas takimit, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, sipas njoftimit zyrtar të Zyrës së Kryeparlamentarit, ajo “e përgëzoi kryetarin Veseli për njoftimin se raporti financiar i PDK-së do të publikohet së shpejti”.
Për financat ka shkruar sot edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i LDK-së. E ka cilësuar si kërkesë shumë të qëlluar që pasqyrat financiare të subjekteve politike të bëhen transparente, por edhe të auditohen.
“Si kryetar I LDK-së kam kërkuar nga zyrtarët përgjegjës të LDK-së të kërkojnë zyrtarisht nga KQZ-ja që pasqyrat financiare të LDK-së të dorëzuara në KQZ të jenë publike dhe të qasshme për çdo qytetar. Do të aktivizojmë edhe Web-faqen e LDK-së dhe do të prezantojmë çdo cent të shpenzuar për partinë”, ka thënë Mustafa.
Por në fjalën e tij ka vënë në thumb Lëvizjen Vetëvendosje dhe opozitën.
“Shpresoj se edhe subjektet të cilat po lavdërohen se i kanë bërë publike pasqyrat e tyre financiare do të pasqyrojnë se me cilat para dhe nga cilat burime është financuar gazi lotsjellës, shishet e mollotovit, sferat e qelqit, mekanizmat për rrotullimin e automjeteve, protestat e dhunshme… Burimet e financimit të subjekteve politike dhe shpenzimet e tyre duhet të jenë transparente”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net.
Përndryshe, Kohavisioni sot ka njoftuar se gjatë vitit 2016, subjektet politike përfituan nga shteti mbi 4 milionë euro. Por me ndryshimin e amendamentit për përqindjen e ndarjes së buxhetit nga 0.17 në 0.34 për qind, kjo shumë edhe mund të rritet deri në 8.4 milionë euro.
Deri tash, përveç Vetëvendosjes dhe AAK-së, partitë tjera nuk tregojnë burimet e financimit. Madje dy partitë në pushtet, PDK-ja e LDK-ja, nuk kanë as faqe zyrtare, ashtu siç e parasheh ligji për financimin e subjekteve politike.
Publikimi dhe mospublikimi i financave të partive politike ka ngjallur akuza dhe kundër-akuza mes anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile thonë se mospublikimi i financave nga partitë politike po bëhet qëllimshëm. Thonë se edhe kur të bëhet auditimi i subjekteve politike, nuk do të bëhen publike të gjitha mënyrat e financimit. Sipas tyre, për financat e partive nuk kryen punë auditimi, duhet hetim profesional e i pavarur.
Vlora prej 48 orësh pa ujë të pijshëm, defekt i rëndë në lin...
Tajvani goditet nga një tërmet i fuqishëm 7.0 ballë
PDK përmbyllë fushatën, Hamza premton rritje pagash e pensio...
Kurti mbyll fushatën në Prishtinë: Mos lëshoni pe për siguri...
KESCO me thirrje për kursim të rrymës
Ky është orari i konferencave të KQZ-së për zgjedhjet nesërm...