Lirohet piloti italian, që u rrëzua në Ishëm

23:30 | 24 Janar 2017
Trina Galanxhi

Guido Guidi, piloti italian i cili u rrëzua në Ishëm, mund të largohet nga Shqipëria. 69-vjeçarit, me vendim gjykate, i është kthyer pasaporta, e cila i ishte sekuestruar që nga muaji shtator i vitit të kaluar, në kohën kur u rrëzua avioni.

Këtë të martë me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pilotit i është kthyer pasaporta dhe do të hetohet në gjendje të lirë.

Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar lënien si garanci të shumës prej 10 mije eurosh. Në vendimin e gjykatës thuhet se piloti do të jetë në dispozicion të prokurorisë dhe do të paraqitet për t’u pyetur sa herë që t’i kërkohet.

Me këtë vendim, duket se misteri se për çfarë kishte ardhur Guido Guidi në Shqipëri nuk do të zbardhet.

Fillimisht italiani deklaroi se kishte ardhur për të ngarkuar kanabis. Ndërsa në një dëshmi të dytë sqaroi se kishte mbërritur për të provuar pistën ku ai u ul dhe mjeti fluturues pësoi defekt. Pavarësisht këtyre deklarimeve Prokuroria gjatë kësaj kohe nuk gjeti asnjë provë tjetër që të faktojë se në këtë rast kishim të bënim me një rast trafiku droge.

Gjatë këtyre katër muajve, hetuesit nuk gjetën asnjë person tjetër, i cili të kishte implikim në këtë çështje pavarësisht se pati disa të dyshuar.

Megjithatë sqarohet se Prokuroria për Krimet e Rënda do t’i vazhdojë hetimet dhe në rast se do të ketë të dhëna që implikojnë pilotin italian, ai të vijë serish në vendin tonë për të dhënë sqarime.

Shpërndaje në rrjete sociale