Tahiri, qytetarëve: Kufizoni lëvizjet, presim ditë shumë më të ftohta!

18:25 | 6 Janar 2017
Trina Galanxhi

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka apeluar qytetarët, kryesisht ata në veri dhe verilindje të vendit të kufizojnë sa të jetë e mundur lëvizjet.

Tahiri: Ditët që vijnë do të jenë shumë më të ftohta, me temperatura shumë më të ftohta se sot. Unë e gjej këtë rast për t’u bërë thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve, veçanërisht zonës veriore, verilindore, juglindore, të mos përdorin rrugën, të kufizojnë në maksimum lëvizjet, vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme, veçanërisht gjatë natës. Shtabet e Emergjencës në çdo qark, Prefekti i Kukësit, i Lezhës, i Dibrës, të gjitha institucionet në çdo qark janë në gatishmëri. Këto janë ditë të vështira që i përballim vetëm bashkë.Nuk ka asnjë mënyrë tjetër, ndaj do të doja ta shfrytëzoja këtë mundësi të komunikimit me ju për t’u transmetuar mesazhin qytetarëve që i gjithë shteti është në këmbë, struktura shtetërore është në këmbë, burimet njerëzore janë në këmbë, infrastruktura është në këmbë. Por duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe qytetarët të minimizojnë në maksimum lëvizjet.

Teksa inspektoi masat e strukturave të Emergjencave në “Rrugën e Kombit”  për përballimin e vështirësive të krijuara nga moti me dëborë dhe temperatura të ulta, Tahiri tha se akset nacionale janë të kalueshme, por nevojitet përdorimi i zinxhirëve.

Tahiri: Jemi përballë ditëve shumë të acarta, por ajo që është e rëndësishme, është që të gjitha rrugët kombëtare, falë masave që kemi marrë, janë të lira dhe të kalueshme. Ne këtu jemi në Kalimash edhe në “Rrugën e Kombit”, është e gjitha e kalueshme, por duhen mjete të posaçme, zinxhirë.Policia Rrugore është e gjitha në këmbë për t’u bërë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës, të mos kalojnë pa zinxhirë.

Ndërkohë zona të veçanta, veçanërisht në qarkun e Kukësit, Dibrës, më pak të Lezhës, janë të izoluara për shkak të bllokimit të rrugëve rurale, por kjo është e pashmangshme dhe po mundohemi të marrim masa që të mos ketë asnjë mungesë nga pikëpamja e mjeteve për të jetuar dhe mundësive për të pasur ushqime dhe ndihmën e parë.Sot nuk kemi asnjë problem, po menaxhohet e gjithë situata në të gjithë Shqipërinë.

Ministri i Brendshëm dha garancinë se të gjithë strukturat shtetërore janë në këmbë për t’iu gjendur në ndihmë qytetarëve në kapërcimin e kësaj emergjence të krijuar  nga moti i keq.

Tahiri: E rëndësishme është që e gjithë struktura shtetërore është në gatishmëri për të ndihmuar qytetarët. Emergjencat Civile janë në gadishmëri. Janë mbi 100 mjete vetëm në këtë zonë për të ndihmuar që rrugët kombëtare të mos bllokohen dhe t’ju gjendemi njerëzve. Struktura e Ministrisë së Transporteve është e gjitha në gatishmëri, Ministria e Shëndetësisë është e gjitha në gatishmëri për t’ju gjendur njerëzve që kanë emergjenca shëndetësore. Rezervat e Shtetit janë të gjitha në gatishmëri me ndihma për të gjithë ata që kanë nevojë për ushqime. Presim kërkesat nga pushteti vendor për të gjitha familjet që kanë nevojë për ushqime në mënyrë që t’u gjendemi pranë me sa kemi mundësi.

Shpërndaje në rrjete sociale