Çertifikohen 25 instruktorë të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes

????????????????????????????????????

16:07 | 15 Maj 2015
M. A.

Janë certifikuar 25 instruktorë të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas një trajnimi nëntë javor të bërë nga profesorët e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave u tha se përvoja e marrë në këtë trajnim do të shërbej për të rritur profesionalizmin në mësimdhënies dhe mësim-nxënie.

Kapiten Arbert Kuçi, instruktor në Qendrën Kolektive të Trajnimit në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, ishte njëri nga ata që ka ndjekur trajnimin nëntë javor, nga i cili thotë se ka përfituar metodat me të reja të mësimdhënies për të rritur, që do t’u ndihmojë në të ardhmen në ligjërimin e tyre para kadetëve të rinj.

Bazuar edhe në përvojat e tyre të mëhershme, Kuçi thotë se do t’i gërshetojnë edhe metodat e reja të cilat i kanë marr në Fakultetin e Edukimit, në punën e tyre gjatë ligjërimit, instruksioneve dhe punës së përditshme me kadetët dhe kursantët nëpër shkollat e Komandës së Doktrinës dhe Trajnimit në FSK. Ai mendon se trajnime të tilla do të nevojiten edhe në të ardhmen.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, tha se ndjehet i nderuar për përfundimin e një projekti shumë domethënës, edhe për Fakultetin e Edukimit, por edhe për FSK-në.

Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Enver Cikaqi tha se tashmë janë duke u parë rezultatet e para të këtij trajnimi. Cikaqi thotë se për këtë trajnim janë zgjedhur 25 instruktorët me të mirë të cilët janë me kualifikime të larta dhe që bëjnë punën e instruktorit dhe ligjëruesit në KDS.

Bashkëpunimi me trajnime të llojit të tillë do të vazhdojë edhe me tutje mes FSK-së dhe Universitetit të Prishtinës.

Trajnimi ka zgjatur nëntë javë, ku janë trajnuar 25 instruktorë të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj. Ligjërues kanë qenë profesorët e Fakultetit të Edukimit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale