AAK thotë se shumica parlamentare nuk ekziston, kërkon zgjedhje të parakohshme

14:22 | 30 Nëntor 2016
M. A.

Grupi Parlamentar i AAK-së, thotë se koalicioni PDK-LDK nuk mund të vazhdojë tutje.

Koalicioni i dështuar, nuk kanë kuorum për temat e rëndësishme për Kosovën.

Ata thonë se shumica parlamentare po sillet si pakicë, duke mos pasur në vazhdimësi numrin e nevojshëm të deputetëve të vet në seanca.

GP i AAK-së vlerëson se ky koalicion të cilin e quan të dështuar, nuk ka kuorum për tema të rëndësishme për Kosovën.

“Edhe sot u pa shumë kjart se ky koalicion nuk mund të vazhdojë tutje…edhe pse tenton të shfaqë arrogancën e numrave, në mungesë të tyre, mazhoranca po shfaqet vobektesinë dhe nuk është në gjendje të marrë asnjë vendim”, thotë GP i AAK-së në reagimin dërguar medieve.

Sipas këtij grupi, edhe diskutimet për projektligje bëhen vetëm sa për sy e faqe dhe nuk diskutohen në mënyrë thelbësore.

“Rasti konkret është Ligji për liritë fetare i cili është në plotësim ndryshim, e para nuk ka asnjë ndryshim nga i kaluari dhe e dyta duke qenë se për këtë ligj duhen dy të tretat e deputetëve poashtu edhe dy të tretat e komuniteteve të përfaqësuara në Kuvend, këta sillen sikur i kanë të gjitha votat, a në realitet nuk kanë as kuorum për seanca”, thekson tutje AAK.

Ata kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme, të cilat sipas AAK-së nuk janë dëshirë po nevojë.

“Subjektet politike parlamentare, nuk duhet të jenë të kënaqura me mënyrën se si po funksionon kuvendi dhe qeveria, deputetët të shfrytëzojnë të drejtat e tyre kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës e t’i  kthehemi vlerësimi qytetarë, kështu e thotë demokracia”, theksoi AAK.

Shpërndaje në rrjete sociale