Mësimdhënësit e “Isa Boletini” në grevë

17:04 | 13 Maj 2015
M. A.

Mësimdhënësit e tri shkollave që gjenden në veri të Mitrovicës qe dy muaj e gjysmë nuk kanë marrë paga.

Për këtë shkak mësimdhënësit e shkollës “Isa Boletini” në Boletin kanë hyrë në grevë dhe do të vazhdojnë të mos mbajnë mësim përderisa t’i mos marrin pagat e marsit dhe prillit.

Përkrahje për grevën u ka dhënë edhe Sindikata e bashkuar e Arsimit të Kosovës. Nëpërmjet një komunikate për media SBASHK-u sqaron se është duke përcjellë nga afër situatën në shkollat “Isa Boletini” në Boletin, “Kadri Bistrica” në Bistricë dhe shkollën në fshatin Qabër.

“Mësimdhënësit shqiptar të këtyre shkollave ka dy muaj e gjysmë që nuk kanë marr paga dhe nuk janë informuar pse ka ndodhur kjo. Ata kanë pritur deri tani duke qenë në shërbim të nxënësve, por mos marrja e pagave po pengon ata që të kryejnë detyrat e tyre sepse nuk kanë para për të udhëtuar as deri në shkollë”, thuhet në komunikatë.

SBASHK-u ka kërkuar përgjigje nga institucionet dhe kishte premtime se kjo çështje do të zgjidhet, e këto premtime kanë bërë që edhe mësimdhënësit e shkollave në veri të Kosovës të punojnë me shpresën se do të gjendet zgjedhje për pagat e tyre.

“Pasi që kjo nuk ndodhi, mësimdhënësit e shkollës “Isa Boletini” kanë hyrë në grevë dhe janë deklaruar se do të vazhdojnë me grevën derisa nuk u japin pagat për muajin mars dhe prill. Grevë mund të pritet edhe në shkollën ‘Kadri Bistrica’”, thuhet në komunikatë.

SBASHK-u mbështet kolegët e këtyre shkollave dhe kërkon nga institucionet e Kosovës që të gjejnë zgjidhje në mënyrë që këta mësimdhënës ti marrin pagat e merituara dhe pastaj të vazhdojnë me procesin mësimor për ta mbyllur me sukses këtë vit shkollor.

Shpërndaje në rrjete sociale